Këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra dhe shorti i tij ka vënë përballë njëri- tjetrit dy ekipet shkodrane, ato të Vllaznisë dhe “Juban Danja- Murlanit”.

Takimi do të luhet pasditen e së shtunës, në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Në pamje të parë favoritë për të fituar konsiderohet Vllaznia, skuadra e cila është jo vetëm fituesja e Kupës në fuqi, por edhe kandidatja kryesore për fitimin e këtij trofeu edhe këtë sezon.

Ajo gëzon një formë të mirë sportive dhe kohët e fundit është përforcuar me disa lojtare të tjera cilësore. Nga ana tjetër, edhe ekipi i “Juban Danja- Murlani” ka bërë disa lëvizje gjatë kësaj periudhe, duke u përforcuar në pikat ku ka patur më shumë nevojë.

Ai në turin e parë ka fituar me rezultatin e thellë 10-0 ndaj ekipit të Bilisht Sport dhe tashmë e sheh veten në turin çerekfinal. Aty ku në fakt, nuk do kishte dashur të ndeshej kaq shpejt me Vllazninë, por ky është verdikti i shortit.

Megjithatë vajzat e drejtuara nga trajneri Elis Legata do të mundohen të bëjnë më të mirën e tyre në takimin e së shtunës dhe pse jo, edhe për të synuar kualifikimin, ndonëse kjo duket shumë e vështirë. Por në fund të fundit, futboll është dhe “Juban Danja- Murlani” do të tentojë të bëjë më të mirën e saj në këtë përballje.

Nga ana tjetër, Vllaznia e trajnerit Nikolin Leka ka ambicjet e saj për të fituar jo vetëm këtë ndeshje, por edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni, trofe ky që do të ishte i teti rradhazi për të. E për ta bërë këtë gjë, fillimisht duhet të kalojë të shtunën kundërshtarin e rradhës, ekipin e “Juban Danja- Murlanit”.