Nesër në orën 12:00 në fushën “Reshit Rusi”, do të luhet një ndër ndeshjet më të rëndësishme të javës së 20-të të Superiores së grupmoshave U19, ajo në mes Vllaznisë dhe Partizanit.

Një sfidë shumë interesante, të cilën padyshim që do të kërkojnë ta fitojnë të dy ekipet dhe si e tillë, nëse do të kishte brenda edhe paksa praninë e tifozëve, do të dhuronte më shumë emocione.

Ekipi kuqeblu do të synojë me patjetër fitoren, që do t’i bëntë shumë punë për të vijuar me serinë e rezultateve pozitive. Ndeshja e nesërme poashtu, pritet me interes nga të dy ekipet, pasi bëhet fjalë për dy skuadra të forta, që në vitet e fundit kanë nxjerrë lojtarë cilësorë nga rradhët e tyre.

Skuadra e 19-vjeçarëve të Vllaznisë, që drejtohet nga trajneri Vioresin Sinani, është një skuadër, e cila mundohet të luajë bukur futboll dhe që në rradhët e së cilës ka disa lojtarë me cilësi të mira, siç janë Kaçaj, Spahija, Alivoda, Cungu, Pjeshka, Delaj apo edhe Zahi, që në ndeshjen e fundit me Partizanin, i dha fitoren ekipit falë golit të tij në sekondat e fundit të ndeshjes.

Jo më kot, skuadra e 19-vjeçarëve kryeson renditjen, duke qenë në vendin e pare. 19-vjeçarët e Vllaznisë, janë një skuadër që mbrohen mirë dhe sulmojnë rrezikshëm, teksa padyshim që nesër pritet fitore nga, fitore kjo që do të vinte ndaj një rivali direkt, siç është Partizani. Deri më tani, trajneri Vioresin Sinani, ka krijuar një ansambël që luan bukur futboll dhe padyshim që priten edhe rezultatet pozitive, për të kurorëzuar në fund titullin kampion.

Ndeshja e nesërme, Vllaznia U19-Partizani, do të luhet në “Reshit Rusi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 12:00.

Maringlen ZHIVANI