Shqipëria U21 e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme rrugën e eliminatoreve për Euro 2023, teksa mposhti me rezultatin 0-3 Andorrën në transfertë.

Tashmë, kuqezinjtë e trajnerit Alban Bushi do të zbresin sërish në fushë neser, por kësaj herë për një përballje miqësore nda Bullgarisë. Tekniku Bushi për fshf.org, thekson se ekipi i tij i ka mundësitë ta mbyllë fushatën eliminatore në vendin e dytë ndërsa shton se lojtarët duhet ta kuptojnë mirë rëndësinë e fanellës. Sakaq, nuk harroi edhe një falënderim për Rejën, duke qenë se në këtë grumbullim mori lojtarë të ekipit A, si Broja dhe Mitaj.

“Ishte shumë e rëndësishme për ne ndeshja e parë që ta nisnim mbarë. Kishim vështirësi në ndërtimin e skuadrës përpara ndeshjes duke parë se kishim shumë mungesa dhe shumë lojtarë të rinj në ekip. Na ndihmoi disi edhe fakti që e njihnim ekipin e Andorrës sepse kishim luajtur një vit më parë dhe ndërtuam një strategji për ndeshjen.

Unë i kërkova ekipit shumë përqendrim dhe në asnjë moment të mos nënvlerësonim kundërshtarin. Dua ta falenderoj skuadrën për shpirtin e garës që tregoi në fushën e lojës. Në këtë ndeshje ne nuk luajtëm futbollin tonë karakteristik, ku bëjmë më shumë pasime dhe vertikalizime sepse kundërshtari nuk ta lejonte një gjë të tillë, duke parë që qëndron shumë ngushtë dhe kërkon të prishë ҫdo aksion dhe jo të ndërtojë. Përtej kësaj të rëndësishme ishin 3 pikët dhe i morëm ato.

Duhet të përmirësohemi akoma më shumë për të përballuar skuadrat e tjera të grupit, që janë një nivel më lart se Andorra. Shpresoj që në ndeshjen e rradhës, në shtator, të kemi të gjithë grupin dhe të bejmë më të mirën tonë. Në të njëjtën kohë dua të falenderoj edhe trajnerin Reja duke qenë se na lejoi të grumbullojmë Armando Brojan dhe Mario Mitajn”.

“Ne i kemi të gjitha mundësitë për të zënë vendin e dytë, kemi lojtarë shumë cilësorë, të cilët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Duhet të kuptojnë mirë rëndësinë e fanellës dhe faktit që të gjithë shqiptarët presin nga ne maksimumin.

Për këtë duhet të djersijnë shumë në fushën e lojës, duhet të sakrifikojnë dhe të përkushtohen në maksimum për fanellën. Nëse ata e bëjnë këtë në çdo ndeshje, ne do të arrijmë shumë lart në këto eliminatore”.

Miqësorja- “Në prag të kësaj ndeshjeje jemi në një situatë jo dhe aq të mirë përsa i përket grupit të lojtarëve që kemi, duke parë dëmtimet dhe largimet. Ndeshja e nesërme me Bullgarinë është një test shumë i rëndësishëm për ne, duke parë se është një kundërshtar që i përshtatet Ҫekisë, me të cilët luajmë në shtator.

Ne duhet të bëjmë mirë, ashtu si gjithmonë, edhe se kemi mungesa ne do t’i japim mundësinë të gjithë lojtarëve të tjerë që nuk luajtën në Andorra. Unë pres shumë nga lojtarët nesër”, u shpreh Bushi. /VipSport/