Tërbuni dhe me në krye trajnerin Edmond Dalipi kanë korrur një sukses të madh dje, duke u rikthyer sërish në Kategorinë e Parë, pas triumfit ndaj Flamurtarit. Pas ndeshjes trajneri Dalipi për “Panorama Sport” u shpreh:

“Këto ndeshje janë shumë të vështira dhe ne e kishim përgatitur ekipin edhe për penalltitë. Kam shumë falënderime për këtë arritje, së pari për djemtë, pasi kanë sakrifikuar gjithë kampionatin dhe për këtë jam krenar. Falënderimi i dytë shkon për kryetarin e bashkisë, pasi na ka mbështetur shumë dhe meriton respektin e të gjithëve.

Puka e meriton Kategorinë e Parë, sepse ka një infrastrukturë shumë të mirë, tifozëri të mrekullueshme dhe është luks të luash me këtë skuadër në Kategori të Parë. Incidenti i para disa viteve, ku ramë nga kategoria, nuk do të përsëritet më dhe do të ketë vetëm ndeshje ‘Fair Play’.

Për Flamurtarin më vjen keq, sepse është një emër i madh për futbollin shqiptar dhe gjatë gjithë javës i kam karikuar djemtë duke u thënë që në këtë ndeshje Flamurtari ka në favor vetëm emrin e madh, kurse në fushë ishin ata kishin më eksperiencë dhe do të ishin më superiorë, sepse skuadra vlonjate ishte me djem të rinj”.