Krijimi i një ekipi të ri nga Bashkia e Elbasanit ka sjellë shumë diskutime. Ka edhe nga ata që e mbështesin këtë nismë, por ndryshe mendojnë ish-futbollistët që bënë historinë me këtë klub.
Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, flet kapiteni i sezonit 2005-2006, vit në të cilin verdheblutë u shpallën edhe kampionë. Nevil Dede e quan të nxituar lëvizjen e ndërmarrë nga institucioni vendor dhe pohon se nuk mund të zhdukësh historinë me një të rënë të lapsit.
Zgjidhjen e sheh vetëm te bashkëpunimi midis bashkisë dhe Lazes, për të rikthyer në nivelet e dikurshme këtë klub futbolli. Edhe pse nuk është kundër krijimit të ekipeve të reja, e shqetëson fakti që po kthehet në “modë” zhbërja e klubeve që kanë bërë histori.
Dede, pak ditë më parë, Bashkia e Elbasanit krijoi një ekip të ri me emrin AF Elbasani. Si e shihni këtë lëvizje?
Në fakt, nuk jam shumë në brendësi të situatës, pasi më shumë jam informuar nëpërmjet medias. Por, në përgjithësi më duket një vendim i nxituar.
Pse mendoni kështu?
Unë nuk është se jam kundër krijimit të ekipeve të reja. Në fund të fundit, futbollin zhvillojnë, por jo të krijosh një ekip për të zhdukur një tjetër, që ka bërë historinë.
Keni qenë kapiten në 2006 kur u shpallët kampion, si ndiheni pas këtyre lajmeve?
Për këtë situatë në të cilën ndodhet Elbasani, u vjen keq të gjithëve. Është një ekip që ka bërë histori në futbollin shqiptar dhe jo më mua që kam kaluar vite të bukura aty. Janë kujtime që nuk harrohen lehtë dhe normalisht më vjen keq për situatën ku ndodhet ekipi.
Gjithsesi, bashkia thjesht ka krijuar një ekip të ri, nuk është se ekipi aktual nuk do të ekzistojë…
Atëherë, një ekip nuk ka vetëm stemën dhe logon, por ka edhe asetet e tij. Nëse i merr ato, atëherë edhe ekipi është i destinuar të zhduket. Shumë mirë, ka krijuar një ekip të ri, të krijojë terrene të reja dhe të stërvisë këtë ekip. Ndërkohë që në ambientet ekzistuese të vazhdojë punën ekipi aktual, sepse është klubi që ka përfaqësuar në 100 vite qytetin dhe vazhdon ta bëjë. Në njëfarë mënyre këto asete duhet t’i ketë ky klub.
Çfarë zgjidhjeje do të sugjeronit për këtë rast?
Nuk e di se deri në çfarë pike kanë shkuar gjërat, por e mira do të ishte që bashkia së bashku me Lazen të gjenin gjuhën dhe të ngrinin ekipin aktual, që ka më shumë se 100 vjet histori. Ekipi i Elbasanit është një aset i gjithë qytetit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nëse bashkëpunojnë, jam i bindur se mund ta ngenë sërish ekipin aty ku i takon.
Mendoni se ekipi i ri nuk mund ta përfaqësojë dot qytetin e Elbasanit?
E thashë, nuk jam kundër ekipeve të reja, përkundrazi. Por, Elbasanin e përfaqëson ai ekip që ka bërë historinë dhe që ka pasur gjithnjë mbështetjen e tifozërisë. Mund të ngrihen shumë ekipe të reja, por historinë e Elbasanit, Tiranës, Dinamos, Vllaznisë, Flamurtarit apo edhe të tjerave nuk e zëvendësojnë dot. Nuk ndryshohet historia kaq lehtë me një të rënë të lapsit.
Duket sikur po bëhet modë krijimi i ekipeve të reja?
Po, është edhe rasti i Luftëtarit. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë, sepse kështu po rrezikon të zhduket edhe historia. Në futboll është shumë e rëndësishme edhe historia për një klub.