Nevil Dede ka mbetur i kënaqur nga ndeshja kundër Vllaznisë. Trajneri i Dinamos, në prononcimin për “Panorama Sport”, vuri në dukje lojën e mirë të bluve.
“Besoj se jemi më të lirshëm, ku e pamë edhe në ndeshjen me Vllazninë, pasi edhe ngarkesat kanë qenë me të vërtetë të mëdha.

Kemi filluar të shprehemi pak më mirë, kjo edhe ndoshta nga përshtatja me ngarkesat tregon këtë pozitivitet që lojtarëve u përgjigjen këmbët. Kemi ndërtuar lojë të mirë, kemi vuajtur, sepse kishim përballë një skuadër që realisht është shumë e mirë për në Superiore dhe mendoj që u paraqitëm mirë. Ka vend për përmirësim patjetër.

Merkatoja? Sa më shumë lojtarë të mirë të kesh, aq më mirë është. Vështirësitë pastaj do t’i kem unë te përzgjedhja dhe menaxhimi për harmoninë dhe humorin e djemve. Ne kemi dhe 3-4 javë në dispozicion, do të mundohemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht dhe pastaj të presim kur të fillojë gara”, ka thënë fillimisht Dede. I pyetur për garën që pret në Kategorinë e Parë, ai u shpreh:

“Ne do të luftojmë së pari të respektojmë veten tonë, pastaj kundërshtarët. Po respektuam veten, ne besoj se do të jemi fitues. Po mundohemi të punojmë fort, mundohemi goxha, lojtarët po lodhen shumë sepse faza ka qenë e ngarkuar ku do të vazhdojmë me fazën edhe disa ditë këtu në Pogradec ku i kemi pasur të gjitha kushtet, me stadiumin në dispozicion, punëtorët, klubin e Pogradecit. Dua t’i falënderoj në veçanti”.