Vllaznia luan sot me Universitatea Craiova, e vlefshme për Ligën e Uefa-s (Conference League). Padyshim tifozë, lojtarë dhe stafi i Vllaznisë urojnë të këndojnë këngën e fitores ndonëse është e vështirë, por asnjëherë e pamundur. Stadiumi në Rumani “Ion Oblemenco” është përvojë më vete për skuadrën, e cila stërvitjen e realizon në kushte shumë më inferiore në Shkodër për momentin, dhe ndeshjet në një fushë që akoma ka nevojë për përmirësim. Edhe me të mirën duhet kohë për t’u mësu…

Përtej vështirësive, qetësia e trajnerit Mirel Josa që përcillet në fushë, zëri autoritar i tij – i pazhurmë – përputhet në harmoni me këmishën e bardhë, të cilën duket se nuk e ndan në asnjë ndeshje dhe është ogur i mirë në rezultatet e Vllaznisë që i kemi ndjekur hap pas hapi.

N’Vllazni gjendet forca. Futbolli shkodran na mbledh për arësye të ndryshme, porse për dashni është embrioni i kësaj ndjekjeje pa kushte. Në ndeshjen e parë me Craioven, stadiumi “Loro Borici” u mbush me burra, gra e fëmijë dhe për sa kohë Vllaznia vazhdon të bashkojë njerëzit, është në rrugë të mbarë të fitoreve.

Mbështetja historike nga qytetarët shkodranë që jetojnë në Shkodër dhe jashtë saj, është dhurata më me vlerë dhe uniforma më e bukur që lojtarët dhe stafi veshin përditë, ndaj sot dëshira është e madhe për kualifikim. Porse n’Vllazni gjendet gëzimi dhe cdo ndjenjë tjetër që kokën e mban lart.

Ndaj urojmë të jenë të pamposhtur, të fortë, të shpejtë, intuitivë e kurajozë. Mijëra janë tifozët që ju ndjekin, dhe mijëra ata që ju simpatizojnë pa qenë tifozë. Historia ka magjinë e vet, sic ka e tashmja dëshminë e vet.
Forca djemve. Forca Vllaznia.
Arlinda Çausholli