Vllaznia do presë ditën e shtunën në orën 16:45 në “Loro Boriçi” skuadrën e Kastriotit. Ndeshja është e vlefshme për javën e 9-të të Superligës. Një takim ku kuqeblutë medoemos do kërkojnë 3 pikët që kanë munguar në javët e fundit. Dhe ndeshja kundër krutanëve shihet si një pikë kthese për shkodranët.

Por Kastrioti sjell disa kujtime të “hidhura” për Vllazninë. Jo më larg se në janar të këtij viti, në javën e 16-të të sezonit 2020-21, krutanët arritën të merrnin një barazim 0-0 në Shkodër. Barazim që në fund do ndikonte shumë në bilancet e Vllaznisë pasi titulli do humbej vetëm për golavarzh kundrejt Teutës.

Gjithsesi ndeshja e janarit do kujtohet shumë për tensionin që u paraqit në fushën e lojës. Jo vetëm ashpërsia që luajtën krutanët, por edhe vonesat dhe taktikat e ndryshme për të ndalur Vllazninë në atë takim nuk harrohen lehtë. Një ndeshje aë prodhoi edhe shumë polemika pas përfundimit të saj.

E të shtunën është rasti që Vllaznia të tregojë forcën e saj dhe pretendimet e larta që ka këtë sezon. Ndeshja parashikohet të jetë sërish e fortë dhe të prodhojë rivalitet si sezonin e shkuar. Kjo duke parë edhe nevojën jetike të Kastriotit për pikë, pasi gjenden në vendin e fundit me vetëm 5 pikë të grumbulluara.
Endri ÇINARI