Sebastian Sosan ka nga ata që e kujtojnë për periudhën e tij tek Vllaznia, por ka edhe nga ata që nuk e kanë shumë të qartë në memorien e tyre. Në verën e vitit 2014, ai erdhi si afrimi më i bujshëm i merkatos, ku i huazuar nga Palermo vinte të luante me Vllazninë. Atëherë sulmuesi ishte vetëm 20 vjeç dhe e ardhmja për të shihej shumë e artë.

Me një vlerë në merkato të kohës prej 1 milionë eurosh, uruguajani vinte në Shkodër për të marrë eksperiencën e duhur përpara se të luante në Itali. Talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por Vllaznia nuk ishte ndoshta në vitet më të mira dhe gjërat nuk ecën ashtu siç duhet.

Gjithsesi Sosa qëndroi edhe sezonin pasardhës në Shkodër, por pa treguar shumë nga cilësitë e tij. Pastaj për të u dëgjua pak sepse në Itali nuk mundi të kishte sukses dhe u transferua në Zvicër e më pas në vende të ndryshme të Amerikës së Jugut si Uruguaji, Kolumbi apo edhe Meksikë.

Sot në moshën 27-vjeçare, ai është pjesë e Patronato në kampionatin argjentinas. Dhe jo më larg se mbrëmë ishte protagonist me gol dhe asist në fitoren e skuadrës së tij 3-2 kundër Lanus. Ky ishte goli i 8-të këtë sezon për Sosan dhe asisti numër 2.

Duket se sulmuesi ka gjetur formën më të mirë pas disa aventurave jo edhe aq të sukseshme. Një sulmues që ishte i panjohur para pak vitesh dhe që vinte të provonte fatin e tij të futbollit tek Vllaznia.
Endri ÇINARI