Kombëtarja gjithmonë është temë diskutimi, madje edhe në një edicion si ky i fundit ku grumbulloi për herë të parë 18 pikë në kualifikueset e Botërorit. Por, ndonjëherë duhet edhe një këndvështrim ndryshe për të bërë një bilanc, ndaj edhe “Panorama Sport” intervistoi profesor Përparim Kabon. Ai vlerëson kuqezinjtë për disa arritje të rëndësishme, mes tyre edhe fitoret me Hungarinë, por nga ana tjetër thekson se ka probleme thelbësore dhe mungojnë analizat që sjellin më pas edhe progresin e dëshiruar.

U mbyllën kualifikueset e Botërorit dhe tani ka një diskutim të pashmangshëm mes atyre që mendojnë se Shqipëria ia doli me sukses dhe një pjese tjetër që thonë se Kombëtarja jonë mund të bënte më shumë se kaq. Ju si mendoni profesor?

Emocionalisht u jap të drejtë të dyja qasjeve, por në një analizë të thellë teknike dhe profesionale, gjithçka duhet parë në kahun e mundësive reale dhe shfrytëzimit të tyre maksimalisht. Ndaj, pyetja më e drejtë do të ishte: A jemi ne në nivel më të lartë se ekipi polak dhe për shkak të gabimeve nuk shkuam në Botërorin e Katarit?

Unë mendoj se dy fitoret me Hungarinë, e cila bëri një figurë shumë të mirë në Europian, janë një arritje që jo të gjithë e kishin menduar kur u hodh shorti. Ne duam të ecim edhe më shumë sepse rasti i Maqedonisë së Veriut është nxitës dhe referues, por si dhe me cilat ndryshime? Kjo është një pyetje e hapur që kërkon përgjigje dhe analizë të thellë.


Profesor, sipas jush, çfarë duhet të korrigjojë në mënyrë emergjente kjo skuadër?

E para dhe kryesorja, të marrë pavarësinë nga kreu i federatës, që në çdo rast bën orakullin. Ka disa gazetarë që me kultin që i kanë ngritur atij duke e marrë në intervistë vend e pa vend i bëjnë dëm atij vetë. Ekipi kombëtar nuk është pronë e federatës, por është ekipi i flamurit kombëtar. Ju kujtohet rasti kur ekipi kombëtar i Francës doli pa asnjë pikë nga një event ndërkombëtar.

Trajneri u shkarkua menjëherë dhe as u pyet federata apo u mor parasysh kontrata. U tha se ishte turpëruar flamuri kombëtar. Ekipi ynë kombëtar është keqpërdorur në shumë raste, nga politika, nga federata dhe nga disa media apo mediatar. Kur ka sukses të gjithë i dalin zot dhe duan të “vjedhin” nga lavdia, ndërsa kur ka dështim op, të gjithë largohen dhe ngrenë gishtin se “fajtori” është trajneri… Ky ekip ka nevojë të rrisë cilësinë dhe të mos mbetet peng i emrave.