Vllaznia dje ka vijuar punën për takimin e javës së fundit të fazës së parë, atë që do të ketë ndaj Kastriotit. Përballja ndaj Pogradecit për Kupë duket se nuk i ka rënduar aspak kuqeblutë, për më tepër fitorja tenistike ka rritur entuziazmin në skuadër. Dje, trajneri Brdariç ka nxjerrë lojtarët në stërvitje duke zhvilluar një seancë të plotë.

Pavarësisht se ka edhe një seancë stërvitore deri në shtunën, ajo që mësohet është se trajneri Brdariç po skicon formacionin që do të hedhë në fushë në përballjen ndaj Kastriotit. Sipas parashikimeve, në formacion do të ketë pak ndryshime nga përballja e fundit në kampionat ndaj Egnatias.

Në portë pritet që të luajë Zogoviç. Katërshja e mbrojtjes parashikohet të përbëhet nga Gurishta, Dianje, Adili dhe Hakaj, duke shpresuar se do të kenë nxjerrë mësim nga gabimet e së shkuarës.

Në mesin e fushës, përkrah dyshes Jonuzi e Krymi, pritet që të jetë Heriç ndaj krutanëve.

Në sulm Da Silva mendohet ta nisë si titullar përkrah Aralicës dhe Latifit që do të jenë treshja e repartit ofensiv. Megjithatë, formacioni deri të shtunën mund të ketë ndonjë lëvizje të çasteve të fundit, pasi lojtarë të tillë si Kruja, Hoxhaj apo Mustedanagiç mund të jenë të mundshëm për njëmbëdhjetëshin e parë.