Vllaznia do të luajë nesër sfidën javës së 9-të të Superligës. Shkodranët presin në “Loro Boriçi”, Kastriotin dhe pas 3 rezultatesh negative radhazi kërkojnë me çdo kusht të rikthehen te fitorja. Sot në konferencën për shtyp, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric u shpreh:

“Duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që nisëm në Kupë ndaj Pogradecit të mërkurën. Lojtarët duhetë jenë të qetë dhe të motivuar siç kanë qenë në stërvitje dhe me qetësi nesër do të marrim rezultat nëse luajmë siç dimë ne të bëjmë më mirë”.

Me Kastrioti vjet nisi krizë, tani do të nisë ringritja? “Është një ndeshje tjetër nga ajo e vitit të kaluar pasi është një sezoni i ri me lojtarë të tjerë. Ajo që dua është që lojtarët të jenë në maksimum e të bëjnë më të mirën e tyre që t’i shkaktojmë humbje Kastriotit. Gjithë kjo punë dhe mund që kemi bërë deri tani të shpërblehen nesër.

E para duhet të kemi shumë vetëbesim dhe nuk duhet të mendojmë për Kastriotin, por për veten tonë. E dimë si luajnë ata, por përqendrimi maksimal do të jetë te mënyra sesi luajmë ne dhe çfarë do të bëjmë në fushë për të marrë fitoren”.

6 gola si ndaj Pogradecit? “Të shënosh 6 gola ndaj një skuadre që mbrohet mirë është gjë e bukur, por ne duhet të dimë si të futemi në zonë, duhet të fitojmë sa më shumë duele dhe të bëjmë më të mirën tonë që gjërat të shkojnë siç kemi ne dëshirë. Ndaj Pogradecit ia dolëm mirë e tani të përqendrohemi te ndeshja nesër”.

Gjendja e skuadrës? “Do të starojmë me 11-shen më të mirë nesër dhe ata janë shumë të motivuar për të luajtur dhe për të fituar ndaj Kastriotit. Kemi edhe lojtarët e stolit të cilët janë të aftë për të bërë diferencën, sigurisht që të gjithë duan të luajnë, por ne do të zgjedhim më të mirët. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të jenë në maksimum dhe e kam parë në sytë e tyre që janë shumë të motivuar për të fituar ndeshjen nesër”, u shpreh Brdaric.