Ndryshe nga sa u mendua, Vllaznia U-19 nuk arriti dot të fitojë ndaj Shkëndisë së Tiranës dhe të barazohej me të në renditje. Djemtë nga kryeqyteti kanë arritur të fitojnë 1-0 me një gol të shënuar në pjesën e dytë. Një humbje disi e papritur sepse opinioni sportiv por edhe futbollistët dhe trajnerët Zmijani e Kola ishin përgatitur për një rezultat ndryshe.

Sidomos pjesa e parë ka qenë shumë e bukur për kuqeblutë të cilët kanë krijuar më shumë volum loje, kanë patur edhe raste por të pakonkretizuara dot. Në të dytën ndërkohë, kur pritej ndoshta që Vllaznia U-19 të shënonte, erdhi goli i miqve. Ka ndodhur në minutën e 65-të dhe më pas, ndonëse futbollistët shkodranë janë munduar të barazojnë por ndoshta nga nxitimi, nuk ja kanë dalë. Përfundimisht 1-0 për Shkëndinë e Tiranës që vazhdon të kryesojë me meritë renditjen e kampionatit për këtë grupmoshë ndërkohë që Vllaznia mbetet gjashtë pikë larg kësaj skuadre por gjithsesi me shpresën për ta rikuperuar këtë distancë mbase shumë shpejt sepse mundësitë dhe përbërjen e duhur ky ekip i ka.

© shkodrasport.com