Nëpërmjet një videokonference “live”, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë njoftimin e rëndësishëm, duke bërë me dije se nga data 1 qershor do të lejohen të gjitha kampionatet sportive pa praninë e publikut sipas protokolleve të miratuara.

“Do të lejohen nga data 1 qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, u shpreh ndër të tjera Manastirliu.

Me hapjen e palestrave, çelet kështu edhe drita jeshile për lojërat me dorë dhe për të gjitha aktivitetet sportive në salla të mbyllura, të cilat për më shumë se dy muaj e gjysmë qëndrojnë pezull.

Një pjesë e madhe e federatave sportive prej disa javësh ia kanë dërguar shkresat e tyre zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkonin leje për rifillimin e garave.