Kampionati shqiptar i futbollit është pushim që në datën 23 dhjetor. Kjo për shkak të pauzës dimërore, ku skuadrat e vendit tonë do rikthehen në aktivitet në datën 15 janar sipas kalendarit nëse nuk do ketë një shtyrje me 1 javë. Por pushimi si zakonisht në kampionatin tonë është shumë i gjatë.

Thuajse gjitha ekipet prej 10 ditësh janë në një fazë absolute pushimi. Ku lojtarët mund të kenë vepruar me programe individuale stërvitore. Superliga me siguri e gjitha do zbresë nesër në fushën stërvitore për të rinisur përgatitjet për fazën e mbetur të kampionatit, ku ndeshjet do jenë akoma më të shumta.

Një gjë e tillë nuk konsiderohet normale për ekspertët e sportit, pasi një pushim kaq i gjatë nuk sjell aq të mira tek futbollistët. Në një moment kur mund të zhvillohej një mini fazë përgatitore e skuadrave, të gjitha qëndrojnë pushim. Kjo duke humbur në njëfarë mënyre edhe ritmin e gjysmës së parë të kampionatit.

Ekipet tona kanë vite që vuajnë nga kjo periudhë pushimesh në dimër. Ku më pas rikuperimi dhe gjetja e formës ideale do disa javë që të kapet. Megjithatë skuadrat mund të kenë vepruar me programe të posaçme, por nuk është asnjëherë e njëjta situatë si të jesh pjesë aktive e stërvitjes së bashku me grupin e plotë të futbollistëve.
Endri ÇINARI