Ka vetëm sezonin e parë që ka ardhur në Shkodër, por ky sezon i ka mjaftuar për të rënë në sy dhe për të fituar duartrokitjet e tifozëve kuqeblu. E kemi fjalën për futbollistin boshnjak, Zinedin Mustedanagiç, i cili është vetëm 23-vjeç, por tek Vllaznia po shfaqet si protagonist, sidomos në ndeshjet e fundit.

Në ndeshjen e fundit, në Korçë, ndaj Skënderbeut, shënoi golin e dytë për Vllazninë, teksa në përgjithësi bëri mirë në këtë përballje. Me golin e shënuar së fundmi ndaj korçarëve, ai e ka çuar në dy numrin e golave në këtë kampionat, ndërkohë që nga ana tjetër, në Kupën e Shqipërisë, është 6 numri i golave që ka shënuar në këtë kompeticion, duke qenë shënuesi më i mirë për ekipin e Vllaznisë, në Kupën e Shqipërisë.

Një futbollist që nuk e nisi sezonin si titullar, por që tashmë po bën mirë sidomos në ndeshjet e fundit. Mesfushori Mustedanagiç po tregon se loja e tij, vizioni me të cilin luan, teknika dhe disa elementë të tjerë që posedon, të bëjnë të mendosh se është një lojtar me vlera.

23-vjeçari ka ardhur në Shkodër për të qenë ai fantazisti i Vllaznisë. Mustedanagiç ka firmosur për dy vjet me kuqeblutë dhe tashmë pas këtyre golave që ka shënuar, duhet të vazhdojë të mbajë këtë formë dhe ritëm, teksa tani është edhe momenti që ai të tregojë se drejtuesit nuk kanë gabuar me të.

Edhe pse në fillim, ai mund të mos ketë qenë në formën e tij më të mirë, Mustedanagiç shumë shpejt u kthye një element i rëndësishëm në duart e stafit teknik.

Skuadra e Vllaznisë prej vitesh ka vuajtur për një fantazist dhe të gjithë tashmë shpresojnë që me Zinedin Mustedanagiç ta kenë gjetur atë, megjithatë koha do ta tregojë, teksa deri më tani gjërat duken në rrugë të mbarë.
Maringlen ZHIVANI