Në Ligën e Dytë spanjolle janë të shumtë futbollistët shqiptarë që aktivizohen me skuadra të ndryshme dhe sot do të ketë një “derbi” mes tyre. Plot 3 futbollistë të Kombëtares, do të zbresin në fushën e blertë në ndeshjen mes Albasetes dhe Malagës, skuadra që shohin nga ngjitja në La Liga.

Sulmuesi kryesor i Albasetes, është Rei Manaj i cili me shumë gjasa do të jetë titullar në ndeshjen e sotme. Sulmuesi nga Lushnja që ishte protagonist pak ditë më parë me Kombëtaren, duke asistuar dhe duke bërë paraqitje pozitive, mund të jetë sulmuesi që do të udhëheqë Albaseten sot.

Nga ana tjetër, me Malagën aktivizohen Keidi Bare dhe Armando Sadiku. Për të dy futbollistët, në Spanjë po flasin fjalët më të mira, duke qenë se Bare është kthyer në më të rëndësishmin e mesit të fushës, ndërsa Sadiku ka shënuar në ndeshjen e tij të dytë me Malagën. Takimi pritet të jetë interesant mes dy skuadrave që edhe sezonin e shkuar, kanë luftuar deri në fund për kreun. /vipsport/