Bluzën e Brazilit e vuri në kokë, mbi flokët biond-platin, falë të cilave mund ta veçojë edhe spektatori i ulur në ndenjësen më të largët të stadiumit 90 mijë vendësh të Losailit. Gjysmëroveshata me të cilën asfaltoi Serbinë ishte shtysa e duhur për Brazilin në start, që kërkon titullin pas 20 vitesh mungesë. Kur e sheh në fytyrë, në fizik, sulmuesi i Totenhemit të jep idenë e njeriut që ka dhënë shumë e ka marrë shumë grushte… Por për më shumë “Corriere della Sera” ka bërë një investigim të thellë për lojtarin e ri më të preferuar të Antonio Kontes në Londër.

60 MILIONË INVESTIM – Në distancën e 10 minutave ndaj Serbisë shënoi po aq gola sa ka realizuar sivjet në 15 prezenca sezonale me Totenhemin (dopietë ndaj Marsejës në Champions). Disi pak për njeriun që në 152 ndeshje me Evertonin ai kishte shënuar 53 gola dhe ofruar 14 asiste, që shtynë edhe pagesën e 58 milionë eurove për të. Por natyra e tij shumë serioze dhe mjaft luftarake, gjithsesi bën që ai të ketë besimin e plotë të trajnerit Antonio Konte dhe drejtorit sportiv, Fabio Paratiçi, sepse vetëm fakti që ka mësuar të bashkëjetojë në një repart me “Terminatorin” Herri Kejn vlen më shumë sesa 100 gola.

MIQËSIA ME VENTRONEN – Me të mbërritur te Totenhemi, Riçarlison e kreu të gjithë përgatitjen me Xhanpiero Ventronen, i njohur për stërvitjet e tij shumë të ashpra, gatigati për marinsa, më shumë sesa për futbollistë, por fatkeqësisht kur të rikthehet në Londër pas Botërorit, nuk do ta gjejë më, pasi ai humbi jetën më 6 tetor.

Dhe vetëm kjo tragjedi bëri që të zbusë një të fortë si Riçarlison, aq sa braziliani i dedikoi edhe një mesazh prekës në rrjetet sociale: “Kur erdha te Totenhemi, ti ‘Xhan’ ishte burimi im i frymëzimit. Më thoshe gjithmonë se jam një luftëtar, ndonëse flokët e mi të bardhë dukeshin si të tuat. Ishe personi që më ndihmove më shumë se kushdo tjetër, sidomos në fillim kur më the të mos e ulja kurrë kokën përpara asgjëje. Më mësove të mos dorëzohem kurrë dhe të premtoj se do të vazhdoj të luftoj për ty gjithmonë”.

JETA NË FAVELA – Riçarlison u rrit në Nova Valencia, 800 kilometra larg Rio de Zhaneiros, por si shumë djem të uritur për futbollin, ai u rrit mes topit dhe dhunës. “Kur isha fëmijë më vunë pistoletën në kokë, por futbolli më shpëtoi.

Unë jetoja në një zonë të rrezikshme, por i shpjegova me qetësi se po shkoja të luaja me top, jo të shisja drogë në zonën e tij. Më shkoi mirë, pasi shumë miq të mirë kishin përfunduar me një plumb në ballë, në atë zonë ku isha i detyruar të kaloja çdo ditë”, tregonte Riçarlison në 2021-shin.

SHITËS AKULLORESH – Fëmijëria e tij ka qenë shumë e varfër. I rritur në një qytet të vogël, mes favelave me teneqe, për prindërit e tij kishte pak punë për të bërë:

“Shihja babain tim të punonte në ara për të paguar faturat dhe çdo muaj ishte e vështirë të kishim para për gjërat minimale. Por ai sforcohej, shumë madje, kështu që edhe unë vendosa të ndihmoja familjen, teksa një herë shisja akullore, pastaj karamele… Madje, në adoleshencë shkoja të mblidhja kafene edhe me gjyshin”.

NGELËS PA PATENTË – Gjithsesi, e shkuara tashmë është lënë pas, madje ka aq shumë para, sa pak ditë më parë shprehu edhe ëndrrën e tij pas futbollit:

“Dua të blej një ishull privat dhe ta mbush me femra”. Deri këtu OK, por ndërkohë Riçarlison duhet të nisë të studiojë, për të mos ngelur në provimin e radhës së patentës në Londër, pasi në Angli mund të shënosh, mund të kesh para e famë, por patenta nuk lëshohet lehtë.