Pas një sezoni të suksesshëm ku u shpall kampion për herë të parë në histori me Vllazninë dhe një performance pozitive me kombëtaren kuqezi në Ligën e Europës, karriera e volejbollistit Anton Qafarena merr një tjetër hov. Prej këtij sezoni, shkodrani shtatlart do të jetë pjesë e gjermanëve të Bundesligës, Ingersol Buhl.

Prej ditësh, 20-vjeçari ka nisur stërvitjet me ekipin e ri. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Qafarena shprehet entuziast për aventurën e re që ka nisur. “Është privilegj të jesh pjesë e një klubi si ky në Gjermani. Tashmë është një ëndërr e bërë realitet. Mund të them se niveli është shumë i lartë.Ekipi është shumë i mirë dhe, mbi të gjitha, është në ligë profesioniste. Bëhet fjalë që ekipi luan në Bundesligën gjermane. Objektivat janë të qarta këtë vit, pretendohet të kualifikohemi në Kupat e Europës. Për sa i përket kampionatit shqiptar, më vjen keq ta them, por këtu e njohin shumë pak. Dihet që në Shqipëri nuk është niveli si këtu.Për sa i përket Vllaznisë dhe pjesës tjetër në Shqipëri, unë arrita gjithçka që desha. Për mua personalisht mund të them se sezoni 2016-2017 ishte më i miri deri tani. Nuk është pak që të jesh pjesë e një grupi të mrekullueshëm djemsh e trajnerësh dhe së bashku të bëjmë atë që nuk e bëri askush në historinë e volejbollit shkodran.Pra, të shpallë Vllazninë qoftë edhe për një herë të vetme kampione falë atij grupi dhe punës sime të palodhur dhe mbështetjes së pareshtur nga familja. E, mbi të gjitha, nga vëllai im, sepse ai ka meritën më të madhe që unë jam këtu sot. Shpresoj që ky të jetë vetëm starti im”, tha Qafarena. Ndonëse një ambient i ri, diagonalisti kuqezi shprehet se është ndier komod si fillim. “Ambienti është shumë i mirë. Kemi nisur me stërvitjet nga 3 herë në ditë dhe puna po ecën shumë mirë deri tani. Jam përshtatur, ndërsa mjaft lojtarë të rinj kanë ardhur këtë edicion. Sa u përket seancave stërvitore, puna me topin është më e madhe normalisht. Ndërkohë kryesisht kryejmë ushtrime teknike me topa dhe fitnes”. Kampionati gjerman nis më 14 tetor, ndërkohë që testi i parë debutues për Qafarenën pritet të jetë turneu miqësor në datat 16-17 shtator, ku do marrin pjesë dy skuadra gjermane dhe dy franceze, Frankofort, Kambrai, Shamont dhe Ingersol Buhl.