Edhe pas javës së pestë të Kategorisë së Parë, Ada e Velipojës vazhdon të jetë në vendin e dytë të renditjes. Është skuadra, e cila deri tani, që nuk ka njohur asnjë humbje, duke koleksionuar dy fitore dhe tre barazime. Por duke nisur nga java e gjashtë, velipojakët do të fillojnë të përballen me kundërshtar, të ashtëquajtur të “frikshëm” apo të denjnë për t’i sjellë humbjet ekipit të Adës. Elbasani do të ndeshjet, në fushën e vet, ditën e shtunë, me skuadrën e drejtuar nga Samuel Nikaj, që përveç synimit për të marrë fitoren, ku verdhebluve të Ilirjan Files u duhet për objektivat e tyre, njëkohësisht kërkojnë edhe të thyejnë “tabunë” Ada, që është e vetmja, që nuk njeh humbje deri tani, në këtë kategori. Por trajneri i këtij ekipi Nikaj, duke njohur mirë vlerat e grupit të lojtarëve, që stërvit çdo ditë, shprehet se nuk i frikësohet asnjë skuadre, brenda apo jashtë, por nëse bëhet fjalë për “frikë”, atë mund ta gjejë vetëm në radhët e veta, nga vetëkënaqësia.

“Nuk kemi asnjë skuadër frikë, por edhe kemi frikë”, kështu ka pohuar në fillim të prononcimit të tij, ditën e djeshme, për www.shkodrasport.com”, numri një i skuadrës velipojake, i cili më pas ka sqaruar në detajre verdiktin apo filozofinë, që e udhëheq atë në punë. “Tek ajo që thashë më lart, nuk bëhet fjalë se nuk do të respektohen kundërshtarët me të cilët do të përballemi, por pavarsisht se ku luajmë, brenda apo jashtë, nuk i kemi frikë, pasi ashtu siç stërviten ata çdo ditë, të njëjtën gjë bëjmë edhe ne. Ashtu siç mendojmë ata të fitojmë, po ashtu edhe ne kërkojmë fitore në çdo ndeshje. Megjithatë unë përpiqem të shikoj punën e skuadrës sime, së cilës, në momente teë caktuara, i kam më shumë frikë asaj se të tjerëve. Në këtë ecuri pozitive të Adës unë i kam frikë, vetëm ndonjë episodi të veçantë të vetëkënaqësisë së lojtarëve të mi, gjë të cilën, unë ua kam bërë të qartë dhe ua kam përsëritur gjithnjë, që duhet të marrim çdo ndeshje me përkushtim maksimal”, ka vijuar më tej Nikaj, që në fund është ndalur tek ndeshja e radhës me Elbasanin. “Nuk ndryshon asgjë në strategjinë tonë, ashtu sit ë gjitha transfertat shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të marrë vetëm rezultat pozitiv. Të vjen keq, kur kujtoj që javën e kaluar në Ersekë, ndaj Gramozit, kemi pësuar gol në minutat shtesë, kur deri atëherë kryesonim 1-0. Ndërsa duam që të përsërisim, të paktën në lojë, ndaj Elbasanit, atë ndeshje, që bëmë ndaj Gramozit, por duke shpresuar që të marrim më shumë se një pikë. Megjithatë gjithçka e tregon fusha e lojës. Unë e kam ndjekur shtypin gjatë këtyre ditëve si dhe deklarimet e elbasanasve, të cilët shpreheshin të bindur se do të shënonin humbjen e parë të Adës në këtë javë. Nuk dua të merrem apo kundërpërgjigjem të tilla deklaratave, por di të them se është luks për çdo skuadër futbolli në Shqipëri, që të luajë në Elbasan, ndaj skuadrës vendase në të gjitha drejtimet. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe le të fitojë më i miri”, ka mbyllur deklaratën e tij, trajneri i Adës së Velipojës, Samuel Nikaj, katër ditë, para sfidës në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit.