Tek Vllaznia vjen një tjetër portier për provë. Bëhet fjalë për suedezin Ola Niklas Uddenas. 30 vjeçari ka mbërritur sot në mesditë në Rinas ku është pritur nga përfaqësues të klubit shkodran dhe menjëherë është nisur drejt qytetit verior, aty ku pasdite do të fillojë edhe provën me kuqeblutë. Në këtë mënyrë drejtuesit e kësaj skuadre duken të vendosur për të gjetur një portier cilësor. Pasi nuk u bindën për aftësitë e kosovarit Ilir Avdyli i cili pas tre ditësh provë u largua, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për malazezin Jasmin Agoviç (ndonëse për këtë të fundit ende nuk dihet saktësisht nëse do ta vazhdojë apo jo provën), tashmë në stërvitje mbërrin edhe një portier tjetër.

Uddenas ka një përvojë disi të gjatë në futbollin nordik teksa ka luajtur fillimisht me ekipin e Rosengard, për të kaluar më pas tek FC Hollviken në formë huazimi, para se të kalonte tek Landskrona ndërkohë që për pak muaj në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit danez Silkeborg. Prej disa muajsh është pa skuadër dhe për këtë arsye, ai ka tentuar që të gjejë një ekip të ri. Me anë të menaxherit të tij ka hyrë në kontakte me Vllazninë, drejtuesit e së cilës i kanë ofruar një mundësi për t’u provuar dhe nëse bind, mund të qëndrojë në Shkodër megjithatë deri sa të merret ky vend, duhet pritur disa ditë.

© shkodrasport.com