Një lajm i papritur për volejbollin shkodran dhe Sportklub Vllaznia ka ardhur pasditen e sotme. Pikërisht ai i dorëheqjes së trajnerit të volejbollit të meshkujve Artan Kalaja. Lajmin në fakt e ka bërë të ditur vetë drejtori i klubit Mark Kroqi që e falenderonte për kontributin 30 vjeçar që ai kishte dhënë duke bërë maksimumin për volejbollin shkodran. Gazeta SHKODRA SPORT ka kontaktuar pak minuta më parë më trajnerin për të mësuar më shumë në lidhje me këtë dorëheqje të tij dhe se çfarë fshihet pas saj. “Nuk mund të vazhdoja më ta bëja këtë punë. Kam kaluar shumë vështirësi dhe stres dhe për rrjedhojë, tashmë nuk kam më forcë ta çoj më tej këtë punë. Ndoshta del dikush tjetër që e bën më mirë dhe prandaj hapa krahun”- ka thënë ai fillimisht. I ngacmuar më tej nëse ka patur ndonjë polemikë a mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit, Kalaja në fakt e mohon në mënyrë kategorike këtë gjë kur shton: “Nuk ka asnjë mosmarrëveshje biles drejtori i klubit Kroqi nguli këmbë që unë të vazhdoja punën por isha i vendosur në vendimin që kisha marrë”. Njeriu që e ka mbajtur gjallë prej vitesh këtë sport në Shkodër, duke ndërtuar madje çdo vit ekip konkurrues pavarësisht vështirësive të shumta, ndjehet i lodhur. E thotë edhe vetë: “Kam kaluar shumë vështirësi dhe stres. Jam munduar të bëj maksimumin ndonëse kushtet kanë qenë të vështira. Çdo vit kemi qenë në vend të parë në fazën e parë të kampionatit, por kur vinte puna tek gara për titull, nuk arrinim dot t’i gëzoheshim atij sepse ishim të pafuqishëm të lëviznim në merkato. Një tjetër problem na ndodhi sivjet. Pati një vonesë në lëvrimin e fondit dhe kjo shkaktoi njëfarë tensioni tek sportistët që nuk patën besim se do t’i marrin ato dhe kjo solli një situatë jo të mirë para play-offit. Po ashtu na u dëmtua edhe Rrashketa, një nga pikat tona më të forta dhe prandaj edhe sivjet na iku titulli nga duart. Dhe kur nuk i gëzohesh ndonjë trofeu megjithatë atë punë e lodhje që bën, natyrisht që të ikën edhe dëshira për të vazhduar më tej. Pa lënë mënjanë edhe anën financiare. A e dini se gjithë këtë punë, lodhje dhe stres për veten dhe familjen time e kam bërë për vetëm 102 mijë lekë të vjetra në muaj!!! Kjo është pagesa që kam marrë jo vetëm unë por të gjithë trajnerët e klubit Vllaznia prandaj nuk mund të vazhdoja më. Gjithsesi i uroj suksese ekipit dhe shpresoj që për të, të vijnë ditë më të mira”. Artan Kalaja tashmë nuk është më trajner i këtij ekipi. Ajo që mbetet është të mësojmë se kush do të jetë pasuesi i tij në këtë detyrë.
Gjergj KOLA