Pas dorëheqjes së trajnerit Artan Kalaja nga drejtimi I ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë, vendin e tij mund ta zërë një trajner malazez. Ndonëse ende nuk ka një emër konkret, kjo është ideja paraprake e drejtuesve të klubit shkodran. Për këtë arsye, fillimisht po shikohet mundësia për të parë se kush mund të jetë kandidatura më e përshtatshme dhe më pas, do të diskutohet edhe për anën financiare të kontratës dhe pasi të jenë mësuar të gjitha këto, atëherë do të vijohet puna për gjetjen e një sponsori që do të bënte të mundur marrjen përsipër të kontratës së tij. Largimi I trajnerit Kalaja në fakt erdhi disi I papritur për drejtuesit e klubit dhe megjithëse drejtori Kroqi për disa ditë me rradhë u mundua t’I ndryshonte mendjen, kjo nuk u bë e mundur.

Në këto kushte lind nevoja e gjetjes së një trajneri të ri. Aktualisht në Shkodër nuk ka një trajner më me përvojë se Kalaja dhe për këtë, e vetmja mundësi për të bërë diçka më të mirë është gjetja e një trajneri të huaj, që do të rriste nivelin e këtij ekipi. Nga ana tjetër, sipas drejtorit Kroqi deri në gjetjen e trajnerit të ri do të duhet edhe disa kohë dhe për momentin më e rëndësishme është gjetja e një zëvendëstrajneri dhe e një trajneri të përgatitjes atletike në mënyrë që ekipi të niste fillimisht punën në pritje të gjetjes së trajnerit të parë. Vllaznia në volejboll për meshkuj prej vitesh ka qenë në elitën e këtij sporti në vendin tonë por pa arritur dot të fitojë asnjë trofe. Me ndryshimet që pritet të ndodhin, do shikohet nëse do vijnë këto trofe apo jo.

© shkodrasport.com