Ndryshe ngaVllaznia e meshkujve që po has vështirësi në merkato, krejt ndryshe qëndron puna me ekipin e futbollit të femrave të këtij klubi. Në përgatitjet e nisura pak ditë më parë për pjesmarrjen në Ligën e Kampioneve, ekipit i janë bashkuar prej pak ditësh edhe tre futbolliste të tjera të ardhura nga Serbia dhe Mali i Zi të cilat kanë bindur stafin teknik dhe më pas, kanë hedhur edhe firmat në kontrata. Bëhet fjalë për portieren Sandra Milojeviç e cila më parë ka luajtur me ekipin e njohur serb të Crvena Zvezdës, për mesfushoren po të këtij ekipi Andrijana Pesiç dhe për mesfushoren malazeze që së fundi ka luajtur në Slloveni, Zheljka Radanoviç.

Presidenti Lazer Matija në një prononcim për “SHKODRA SPORT” ka bërë të ditur se në ditët në vijim përveç këtyre tre futbollisteve, pritet që edhe të tjera t’i bashkohen skuadrës. “Tre futbollistet e ardhura së fundi në këto ditë që i kemi patur në stërvitje kanë treguar vlera dhe jo më kot memi firmosur kontrata me to. Por ato nuk do të jenë të vetmet sepse do të vijë edhe një vajzë me origjinë shqiptare nga Amerika që do të jetë si përforcim për ndeshjet e Ligës së Kampioneve megjithatë ne po kërkojmë edhe për dy lojtare të tjera cilësore në mënyrë që ta kompletojmë ashtu si duhet merkaton”- është shprehur ai.Të gjitha këto përforcime po bëhen me një qëllim të caktuar: paraqitjen sa më mirë në ndeshjet e ligës së Kampioneve që do të zhvillohen në muajin gusht në Slloveni. Presidenti Matija e ka të qartë vështirësinë që e pret ekipin të cilin sponsorizon megjithatë premton të bëjë maksimumin me të. “Shorti duhet ta pranojmë se është shumë i vështirë sepse do të ndeshemi me ekipet kampione të Zvicrës, Sllovakisë dhe Sllovenisë. Megjithatë edhe Vllaznia besoj se do të paraqitet mirë dhe çdo rezultat që ajo do të arrijë në këtë kompeticion të rëndësishëm, nuk do të jetë një rastësi sepse është një ekip që po rritet nga viti në vit dhe ka në rradhët e tij sportiste cilësore”- ka thënë numri 1 i këtij klubi.Vllaznia në futboll për femra është një shembull i suksesit teksa prej disa vitesh ka rrëmbyer të gjithë trofetë e futbollit shqiptar dhe ky projekt tashmë i nisur, pritet të vazhdojë edhe më tej.

Gjergj KOLA