Dy çiklistët e ekipit të Vllaznisë Bruno Kola dhe Astrit Kronaj kanë zënë vendin e parë dhe të dytë në etapën e parë të kupës “Agim Tafili”.

Etapë kjo e zhvilluar paraditen e sotme dhe ka patur itinerarin Thumanë-Shkodër.

Në të kanë marrë pjesë të gjithë sportistët e vendit, pikërisht në kupën e organizuar nga Bashkia Shkodër dhe FSHÇ në nderim të kësaj embleme të çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar.

Gjatë pedalimit ka patur edhe shkëputje të herëpashershme por në mbërritje, në qendër të qytetit të Shkodrës, i pari që ka prerë shiritin e mbërritjes ka qenë çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola.

Ai me një sprint të fuqishëm ka arritur t’i lërë pastë gjithë çiklistët e tjerë pjesmarrës. Në vend të dytë ndërkohë është renditur një tjetër shkodran, Astrit Kronaj ndërsa në vend të tretë ka qenë ai i Tiranës Marenglen Xheleku.

Sa i takon të rriturve, Kristel Sota i Apolonisë ka zënë vendin e parë duke lënë në të dytin Drini Bardhin e Tiranës ndërsa në të tretin është renditur Marolino Hoxha po i Apolonisë.

Por duhet theksuar se pjesmarrja me të rriturit ka lënë shumë për të dëshiruar.

Kjo ka qenë dita e parë e kupës “Agim Tafili” ndërkohë që e dyta dhe e fundit zhvillohet paraditen e nesërme me etapën me itinerar Shkodër- Pukë- Shkodër dhe ku çiklistët e Vllaznisë sërish synojnë të zënë vende të para si në renditjen individuale ashtu edhe në atë ekipore.
© shkodrasport.com