Kanë nisur pasditen e sotme në Shkodër ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë në boks. Ajo që ka rënë në sy në këtë kompeticion, natyrisht që ka qenë pjesmarrja shumë e vogël e boksierëve. Kjo ka bërë që në ditën e parë të kishte vetëm 5 ndeshje të planifikuar madje dy prej tyre nuk janë zhvilluar fare për shkak se kanë qenë boksierë të të dy ekipeve. Gjithsesi, vëmendja ka qenë e përqendruar tek sfida në mes boksierit të Vllaznisë Kajoshi dhe atij të Tiranës Beqiri.

Një sfidë e cila bëri shumë zhurmë në finalen e kampionatit pas vendimit të gjyqtarisë për dhënien e fitores Beqirit. Ndeshja ka qenë shumë e luftuar dhe është ndjekur me shumë interes nga shumë tifozë të pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Takimi ka qenë i fortë dhe me shumë rivalitet. Jo më kot, është pritur me shumë vëmendje dhe interes edhe vendimi i gjyqtarisë. Një vendim që në fakt krijoi njëfarë rrëmuje sepse gabimisht njëri nga pjestarët e gjyqtarisë ka ngritur flamurin blu, çka do të thoshte se fitues ishte Kajoshi i Vllaznisë dhe arbitri i ringut i ka ngritur dorën si fitues por ky gëzim i shkodranëve ka zgjatur vetëm pak minuta. Kjo ngaqë gabimi i gjyqtarisë është korigjuar. Ata kanë shpallur fitues me rezultatin 2-1 Beqirin e Tiranës. Një vendim që edhe mund të kishte sjellë rrëmujë në pallatin e sportit për vetë rëndësinë që kishte kjo ndeshje por në fakt, nuk ka ndodhur asgjë. Gjyqtaria ka sqaruar stafin e Vllaznisë dhe vetë boksierin Kajoshi dhe këtu gjithçka është mbyllur. Nesër në orën 11.00 do të nisin ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë për këtë vit, të cilat do të shpallin boksierët më të mirë por njëkohësisht edhe ekipin fitues. Në garë për këtë duket se janë Tirana dhe Teuta.
Dita e parë e ndeshjeve të Kupës:
49 kg Mario Vida (Vllaznia)- Fabjan Qekaqi (Vllaznia) fiton Vida për mosparaqitje të kundërshtarit
52 kg Ardit Murja (Teuta)- Vuksan Guri (Vllaznia) 2-1
64 kg Gestjan Domi (Teuta)- Muhamet Mema (Teuta) fiton Mema për mosparaqitje të kundërshtarit
69 kg Stavrion Pali (Tirana)-Arnold Kuqari (Apolonia) 0-3
75 kg Alban Beqiri (Tirana)- Arjon Kajoshi (Vllaznia) 2-1

 

© shkodrasport.com