Nga Endri ÇINARI

Vllaznia u eleminua nga kupa e Shqipërisë duke mos arritur kështu në finalen e kompeticionit. Shkodranët nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 kundër Egnatias mbrëmë në “Loro Boriçi”. Rezultat i pamjaftueshëm duke qenë se rrogozhinasit kishin fituar ndeshjen e parë në fushën e tyre me rezultatin 1-0. Dhe në këtë mënyrë arritën finalen e kupës ku do jenë përballë Kukësit.

Në këtë mënyrë, Vllaznia e ndërpret në gjysmëfinale rrugëtimin e këtj sezoni në kupë. Ku duket se është e njëjta “deja vu” e sezonit të shkuar. Kjo pasi edhe në edicionin e shkuar, kuqeblutë eleminoheshin në gjysmëfinale pikërisht nga Egnatia. Ku rrogozhinasit më pas do ishin edhe fitues të trofeut pasi mposhtën në finale Tiranën.

Edhe në sezonin e kaluar, ndeshja në Shkodër përfundonte 1-1 dhe ajo në Rrogozhinë 1-0 për vendasit. Dy eleminime rradhazi nga Egnatia në kupë, që për shkodranët me të vërtetë është një “mace e zezë”. Kjo pasi Vllaznia në 4 sezonet e fundit në kupë është eleminuar vetëm nga Egnatia. Kjo në sezonin aktual dhe atë paraardhës 2022-23.

Në sezonin 2021-22, kuqeblutë do ishin fitues të kupës duke mposhtur në finale Laçin me rezultatin 2-1. E ndërsa në sezonin 2020-21, kuqeblutë do ishin po ashtu fitues të kupës pas fitores 1-0 kundër Skënderbeut. Pra vetëm Egnatia ka arritur të eleminojë Vllazninë në 4 sezonet e fundit të kupës.