Vllaznia do ketë një ndeshje delikate në transfertë ditën e sotme. Kuqeblutë udhëtojnë për javën e 20-të të Superiores drejt Durrësit, ku përballë do kenë Erzenin. Me shijakasit që me të vërtetë askush nuk i priste në këtë formë në kampionat. Ku pasi ka përfunduar gjysma e parë e edicionit, ekipi i Kapllanit ndodhet në vendin e 5-të me 26 pikë.

Një pozicion shumë komod duke marrë parasysh që ekipi u grumbullua vetëm 10 ditë para fillimit të kampionatit. Me të vërtetë një rast për tu studiuar ky në futboll. Megjithatë për tu kthyer tek sfida e sotme, trajneri Kapllani duket se ka projektuar edhe formacionin titullar. Kështu në portë pritet veterani i portës, Dashamir Xhika.

Në mbrojtje krah eksperiencës së Krasniqit, pirten edhe Sadiki dhe Mehmeti. Që nga krahët do kenë mbështetjen e Kadriut dhe Peposhit. Në mesfushë emra si Kahrimanovic që i ka shënuar Vllaznisë këtë sezon dhe Enck dhe Ademi pritet të kenë hapësirën e tyre. Në sulm krah Nonatos që ka qenë më i miri këtë sezon për shijakasit pritet edhe Alan.

Një “samba” braziliane për të thyer Vllazninë në javën e 20-të për ekipin e Kapllanit. Sfida pritet të dhurojë emocione sonte, duke parë që edhe interesimi i tifozerisë nga të dy krahët nuk do mungojë. Një takim i tillë pritet të jetë goxha përcaktues për ecurinë e të dy ekipeve në javët që pasojnë në kampionat.
Endri ÇINARI