Portieri i Skënderbeut Bekim Rexhepi, është lojtari i vetëm në Abissnet Superiore që në këtë edicion ka luajtur çdo minutë të mundshme, duke u aktivizuar në 22 ndeshje të plota, në një total prej 1990 minuta. Pavarësisht se bëhet fjalë për një rol që në përgjithësi nuk ka ndryshim, asnjë lojtar tjetër në kampionat nuk ka mundur që të ketë këtë shifër, teksa minimalisht ka humbur disa minuta.

Fjoart Jonuzi është lojtari i dytë i cili ka koleksionuar më shumë minuta gjatë këtij edicioni deri në këtë pikë të kampionatit. Mesfushori i kuqebluve duket se është lojtari, i cili e ka vendin e tij të palëkundur në skuadrën “kuqeblu”, teksa rezulton si lojtari me më më shumë minuta në fushën e lojës, me 1970 minuta, të grumbulluara në 22 ndeshje, prej të cilave 20 i ka përfunduar të plota.

Pas tij në listë është kapiteni i Kukësit Gjelbrim Taipi, i cili ka arritur që të regjistrojë 1912 minuta nga 22 ndeshjet që ka zbritur në fushën e lojës, por vetëm 11 prej tyre i ka luajtur të plota.

Në vendin e katërt është portieri i Tiranës që ka një 90-minutësh më pak, pasi ka munguar në një përballje, duke u aktivizuar në vetëm 21 ndeshje ose e thënë ndryshe në 1890 minuta.

Tek Laçi lojtari me më shumë minuta është Deliu, i cili ka luajtur 1770 minuta nga 25 ndeshjet që është aktivizuar. Kurbinasit janë skuadra që kanë aktivizuar më pak lojtarë këtë sezon, vetëm 20 po aq sa dhe Skënderbeu dhe Kastrioti.

Në radhët e Partizanit rekordmeni i minutave është Esat Mala, që ka luajtur vetëm 16 ndeshje të plota, ndërsa ka qenë në fushë dhe në 6 takime të tjera që nuk i ka përfunduar të plota, duke numëruar 1803 minuta.

Tek Teuta më i aktivizuari është portieri Pano Qirko me 1800 minuta, ndërsa Krivanjeva i Egnatias ka luajtur në 22 ndeshje, 19 prej të cilave të plota duke arritur në 1860 minuta në fushën e lojës.

Kapiteni i Dinamos ndodhet i gjashti në listën shënuesve më të mirë të secilës skuadër, me Agim Ibraimin, i cili ka koleksionuar 1808 minuta.

Në fund ndodhet Sokol Neziri i Kastriotit, që ka grumbulluar 1709 minuta, duke qenë i fundit në këtë renditje të veçantë. Sa i takon skuadrave me më shumë lojtarë të aktivizuar, Tirana dhe Dinamo janë rekordmenët, që kanë hedhur në fushë nga 25 futbollistë.