Historitë e dëmtimeve në sport përgjithësisht dhe kryesisht në futboll janë nga më të ndryshmet.

Por ajo e mesfushorit të Vllaznisë Ambroz Kapaklija hyn tek ato më të vështirat. Prej 4 vitesh karrierë, ai më shumë ka qëndruar në spitale dhe në periudha rehabilitimi sesa në fushën e stërvitjes.

Dëmtime të njëpasnjëshme dhe përveç tyre edhe dy operacione shumë të vështira në gju, padyshim që e kan mërzitur shumë.

Megjithatë djaloshi 22 vjeçari nuk ka dashur të ndalet. Me një vullnet të hekurt ka vendosur të shkojë përpara dhe të mos heqë dorë nga dëshirë për të bërë karrierë.

Dëmtimi i fundit i tij ka qenë në ditët e para të janarit të këtij viti. Mjekët i rekomanduan dy muaj pushim dhe kjo periudhë tashmë ka përfunduar.

Për rrjedhojë, Kapaklija prej pak ditësh i është bashkuar përsëri ekipit të Vllaznisë në stërvitje.

Gjendja e tij fizike nuk është ajo më e mira megjithatë nuk përjashtohet mundësia që trajneri Gjoka ta përfshijë që këtë javë në 18-she.

Edhe nëse nuk ndodh, e rëndësishme ëshhtë që kuqeblutë mund të kenë edhe një alternativë më shumë në javët e ardhshme.

Sigurisht duke shpresuar që kalvari i vuajtjeve për të, të ketë marrë fund.
© shkodrasport.com