Rikthehen polemikat te skuadra e Manchester United pas barazimit 2-2 që “djajtë e kuq” arritën ndaj Southampton në ndeshjen e fundit në Premier League. Mesfushori 25-vjeçar brazilian Fred, i ardhur në merkaton e verës nga Shakhtar Donetsk, ka deklaruar se nuk është aspak i kënaqur me trajnerin Jose Mourinho. Ky i fundit e ka lënë shpesh në stol dhe tashmë ai rrezikon vendin edhe në kombëtaren e Brazilit.

“Kam luajtur shumë pak minuta me skuadrën e United, ndaj është normale që trajneri i kombëtares së Brazilit, Tite, të mos më grumbullojë në ndeshjen e radhës, pasi nuk ka një vlerësim të duhur për mua. Unë kam punuar fort, por nuk po arrij të luaj. Sigurisht që jam i mërzitur nga kjo situatë, por më duhet të pranoj të bashkëjetoj me këtë situatë dhe të eci përpara”, tha Fred.

“Trajneri ka vendosur që të mos më aktivizojë në formacionin titullar të United, kjo është zgjedhja e tij. Unë gjithnjë bëj punën time dhe nuk lejoj që kjo situatë të ndikojë në punën e përgatitjen time. Më duhet të jem i durueshëm. Ky start i karrierës time në “Old Trafford” ka qenë i vështirë, pasi luaj pak dhe pres shumë. Pres që trajneri të ketë më shumë besim tek unë”, tha Fred, që u ble për shifrën e 63 milionë eurove në verën e këtij viti.