Noruiç ka dhuruar rezultatin që pakkush e priste këtë javë, pasi ka mundur me shifrat 3-2 Mançester Sitin e Pep Guardiolës. Pritej një duel i fituar lehtësisht nga skuadra kampione në fuqi përballë një ekipi që lufton për mbijetesë, por ky i fundit ka treguar dhëmbët që në minutat e para.

Në një sulm të udhëhequr nga surpriza finlandeze Puki, ishin MekLin dhe Kantuell që çuan rezultatin shumë shpejt në 2-0 përballë “qytetarëve” të cilët arritën të reagonin me Agueron para fundit të pjesës së parë duke dhënë sinjale se mund të rihapnin sfidën.

Por ishte pikërisht Puki ai që realizoi në minutën e 50 të duelit duke thelluar përsëri diferencën e bërë gjërat më të vështira për ekipin kampion në fuqi.

Rodri në minutën e 88 ktheu pak shpresë për Sitin, por deri në vërshëllimën përfundimtare rezultati nuk ndryshoi më dhe Siti e pa veten të largohej nga fusha e lojës me një disfatë 3-2, duke mbetur që tani 5 pikë larg Liverpulit kryesues. /vipsport/