Fanella me numrin 9 tek Vllaznia e femrave për vite me rradhë është mbajtur nga sulmuesja e talentuar Jesmira Tula. Një lojtare që ka shënuar shumë gola, ka kontribuar jo pak gjatë këtyre viteve për këtë ekip, megjithatë nga viti 201 e ka patur të pamundur të vazhdojë më. Një dëmtim në gju ia ka bërë të pamundur vazhdimin e futbollit më tej dhe prandaj i ka dhënë lamtumirën atij, kur fare mirë sot mund të ishte sërish në fushën e lojës sepse është vetëm 23 vjeçe.

Pikërisht për këtë arsye, përpara ndeshjes së Ligës së Kampioneve me danezet e Fortuna, klubi i Vllaznisë ka organizuar një ceremoni nderimi dhe vlerësimi për shtatë prej futbollisteve që kanë dhënë kontribut për këtë skuadër në vite. Njëra prej tyre është edhe Tula.

“Shkodra Sport” ka zhvilluar një intervistë me këtë lojtare, për t’i marrë emocionet e asaj dite, por për të folur edhe për karrierën e saj, momentet e vështira dhe ato të lumtura që ka kaluar.

– Tula, shumë emocione besoj të mërkurën kur u vlerësuar nga drejtuesit e Vllaznisë për kontributin e dhënë në vite për këtë skuadër
?

-Emocionet ishin të papërshkrueshme në ato momente. Sepse të dalësh përpara gjithë atyre tifozëvë të pranishëm në stadium dhe të nderohesh me bluzën me ngjyrat e Vllaznisë, në të cilën është i shkruar emri yt në shenjë respekti për atë çfarë kam dhënë për këtë skuadër, është diçka vërtetë fantastike. Ishte një emocion që nuk do ta harroj kurrë në jetën time por besoj se jo vetëm për mua ka qenë i tillë, por edhe për familjen time.

– Një vlerësim ky për ju nga ana e drejtuesve të Vllaznisë?

– Ka qenë një vlerësim maksimal dhe ndihem e privilegjuar prej drejtuesve të Vllaznisë dhe sidomos prej presidentit Lazer Matija.

-Një karrierë e gjatë në futboll, me shumë djersë në fushë por edhe gëzime besoj…

-Futbollin e kam nisur në vitin 2005 kur luaja në atë periudhë me ekipin The Door. Pastaj kalova tek Ada me të cilën fitova disa trofe dhe po ashtu edhe me Vllazninë nga viti 2013 kur u krijua dhe deri në vitin 2016 kur e lashë futbollin për shkak të dëmtimit në gju. Kanë qenë vite të shkëlyera në të cilat kam përjetuar shumë emocione, por momentet më të lumtura do të veçoja ato kur fitonim trofe, apo dhe pjesmarrjen për herë të parë në Ligën e Kampioneve të Europës.

– Sot ekipi ndërkohë ka arritur nivele më të larta, duke kaluar deri në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian. A ju vjen mirë për këtë dhe cili është urimi juaj për Vllazninë?

– Vajzave iu uroj suksese dhe më vjen keq që nuk mund të jem sërish përkrah tyre në fushën e lojës, por me zemër kam qenë gjithnjë pranë tyre. Ecuria e tyre ka qenë e shkëlqyer dhe i uroj vetëm suksese sepse meritojnë çdo gjë.

– Keni ndjekur ndeshjen e parë ndaj danezeve të Fortunës. Ka shanse sipas jush Vllaznia për ndeshjen e kthimit për të synuar kualifikimin?

– Unë kam shumë besim tek vajzat se do të marrin një rezultat pozitiv në Danimarkë. Në ndeshjen e parë në Shkodër ndoshta vetëm mungesa e fatit i penalizoi për të mos marrë një rezultat pozitiv. Dua të besoj se në ndeshjen e kthimit Vllaznia do luftojë fort dhe do të tentojë deri në fund për kualifikimin.
© shkodrasport.com