Nuk ka fitues në supersfidën e Kategorisë së Dytë në Grupin B mes AF Elbasanit dhe Pogradecit, me dy skuadrat që ndajnë pikët në një barazim 1-1 dhe vijojnë kryesimin pas 13 javësh kampionat.

Në një stadium të mbushur me mbi 4 mijë të pranishëm, verdheblutë nuk ia dolën të merrnin fitoren, përpos entuziazmit që nuk mungoi për asnjë minutë. Një përballje e rivalizuar dhe me shumë tension nga minuta e parë deri në të 100-ën, me arbitrin që nxjerr nga xhepi shtatë kartonë të kuq, pesë për lojtarët pogradecarë dhe dy për elbasanasit, që u përfshinë në sherr. Vendësit për më shumë se 85 minuta lojë luajtëm me një lojtar më shumë, por goli i Gavës nga pika e bardhë u sfumua nga Shkulakut në pjesën e dytë.

Gjatë javës para ndeshjes me Pogradecin, trajneri i Elbasanit, Gentian Stojku, i frikësohej faktit të presionit të madh mbi skuadrën, duke qenë se luhej një pjesë e mirë e sezonit. Presion, që për fat të keq verdheblutë nuk e përballuan dot, ku edhe pse në një superioritet numerik, bënë shumë pak për të dalë me tri pikë.

Pas ndeshjes, shkurtimisht për “Panorama Sport”, tekniku elbasanas pohoi se kjo ishte ndeshja më e dobët që ka zhvilluar skuadra e tij.

“Nuk kam shumë fjalë çfarë të them pas këtij barazimi. Ishte ndeshja jonë më e dobët”, ka thënë Stojku, duke mos e fshehur zhgënjimin për këtë rezultat, i cili gjithsesi e mban Elbasanin në krye me pikë të barabarta me Pogradecin, por tani hyn në lojë golavarazhi.