Mbrëmjen e sotme Elseid Hysaj mund të hyjë në histori me Napolin e tij. Vetëm 4 herë më parë në Serinë A ka ndodhur që një skuadër ta mbyllë një vit kalendarik pa humbje në ndeshjet në transfertë. E kanë bërë nga dy herë Milani dhe Interi, tani këtë rekord mund ta barazojë skuadra e Sarrit në ndeshjen me Krotonen, mjafton të mos humbë. Napoli nuk ka pësuar asnjë humbje në vitin 2017 jashtë fushe dhe sot Hysaj përballet me Ajetin në një ndeshje historike për shkodranin.

Në vitin 1964-1965, Interi triumfoi në Kupën e Kampionëve, ndërsa titullin e humbi pas barazimit me pikë me Bolonjën. Interi mbeti i pathyeshëm në transfertë, ku në 16 ndeshje regjistroi 9 fitore dhe 7 barazime.

Në vitin 1963, Milani, me në krye kapitenin Çezare Maldini, u bë klubi i parë italian kampion Europe, pasi mundi Benfikën në finale. Në vitin 1964, me Liedholm dhe Karnilia, kuqezinjtë e mbyllën vitin të pathyeshëm jashtë fushe, me 15 fitore dhe 3 barazime.

Milani i 1992-shit, është skuadra e parë në Serinë A që fitoi titullin pa humbje. Në transfertë arriti 10 fitore dhe 6 barazime.

Interi i 2007-ës. Pas titullit në tavolinë, Juventusit në B dhe ndëshkimit të Milanit, Interi fitoi titullin me 13 fitore dhe 5 barazime jashtë fushe.

Pathyeshmërinë në transfertë për një vit e kanë edhe Udineze e 1955-ës, Lazio e 1972-shit dhe Juventusi i 2006-ës, por gjysmën e vitit luajtën në Serinë A dhe gjysmën tjetër në Serinë B.