Aktivizimi javën e kaluar ndaj Chievo Verona që shënoi dhe debutimin e saj në Serinë A, nuk ka qenë rastësi për futbollisten shkodrane Alma Hilaj. Nëse javën e kaluar mund të jetë menduar se aktivizimi i saj ndoshta erdhi për shkak të mungesave që mund të kishte skuadra apo diçka tjetër, në fakt nuk ka qenë kështu.

Këtë e tregon më së miri fakti se Hilaj ka luajtur sot sërish në formacionin me ekipin Florentia edhe në ndeshjen e rradhës për kampionat. Ka qenë për 90 minuta në fushën e lojës edhe në këtë takim sepse stafi teknik po i beson aftësive të 19 vjeçares shqiptare dhe ajo nuk ka zhgënjyer.

Florentia me ish- futbollisten e “Juban Danja” në fushë, sot ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Orobica Bergamo duke forcuar pozitat e saj në vendin e pestë në renditje.

Për lojtaren e kombëtares shqiptare tashmë rrugët e futbollit italian janë hapur. Të luash në Serinë A padyshim që është një arritje e madhe dhe këtë moment të mirë Alma Hilaj është duke u munduar ta shfrytëzojë në mënyrën e duhur.
© shkodrasport.com