Bledi Shkëmbi, ish futbollisti i përfaqësueses shqiptare, ka analizuar në “Sport News” në “News 24” barazimin e Shqipërisë në Islandë. Në bashkëbisedimin me moderatoren Enxhi Biba, ai ka theksuar se e cilësonte pozitiv barazimin, pavarësisht pritshmërisë që kishte për këtë ekip, ndërsa nuk fajësonte trajnerin Reja për pikët e lëna në Reikjavik.

“Personalisht e mendoj barazimin si pozitiv, por duke marrë parasysh pjesën e dytë, skuadra nuk na pëlqeu të gjithëve. Pjesa e parë ishte ndryshe. Në pjesën e parë mundohemi të kontrollojmë lojën dhe luajmë pa inferioritet e për mua kjo do të thotë shumë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të mos gabojmë e të shënojmë ndonjë gol më shumë.

Kjo nuk është Islanda e para disa viteve, por edhe ne kishim disa mungesa në sulm. Mendoj se do të ishte ndryshe nëse Broja do të ishte në lojë, nuk do të bënim gabime si ai i pësimit të golit. Nëse nuk gabonim, Islanda do ta kishte shumë të vështirë për të shënuar.

Në futboll nuk mjafton diferenca në vlera, sidomos në një ndeshje. Kemi qenë edhe ne inferiorë me skuadra më të mëdha se ne sa i përket vlerës. Në ndeshje të veçanta nuk ka vlerë, aq më tepër Islanda që shquhet që jep gjithçka në fushë, që nuk ndalet së luftuari e vrapuari.

Mendoj se barazimi i mbrëmshëm nuk është çështje skeme, gabimet individuale nuk janë problem skeme. Ndoshta do të preferonim të luanim ndryshe duke parë rreshtimin, mua personalisht ndoshta nuk më pëlqen. Por gjithmonë ka të drejtë trajneri, se ai i stërvit, ka më afër lojtarët dhe e di më shumë se të gjithë si i ka lojtarët në këto momente. Ne kemi qenë si Islanda, por mendoj se kemi një futboll më të mirë, mundohemi gradualisht të shënojmë e të dalim në sulm. Shihet që ka një dorë trajneri, apo lojtarët e mirë, si mbrojtja apo portieri që luajnë në Serinë A. Kemi mesfushë të mirë. Mendoj se kemi cilësi dhe luajmë një futboll të mirë. Por futbolli ndahet nga detajet dhe kjo u pa kur Gjimshiti, ndoshta lojtari ynë më i mirë, gaboi dhe e pësojmë.

Formacioni? Duke pasur parasysh edhe mungesat, sidomos në sulm, mendoj se zgjedhjet ishin më të mirat e mundshme. Nuk dua të gjykoj a paragjykoj trajnerin, e thashë që brenda ekipit ka probleme që ne nuk i dimë nga jashtë e nuk duhet të paragjykojmë, siç ka thënë që Roshi ka pasur probleme e nuk është stërvitur. Ne para ndeshjes nuk e dinim. Manaj e Uzuni janë me probleme gjithashtu, nëse do të ishte grupi i plotë ndoshta do të kishim ndonjë ndryshim. Pikëpyetje ishte Seferi deri diku, për mua bëri ndeshje të mirë dhe meritoi formacionin dhe golin që shënoi.

Ne po gabojmë shumë individualisht, po bëjmë gabime të tilla dhe nuk ka të bëjë me trajnerin, nuk ka çfarë të bëjë trajneri në këto raste. Ne ndonëse luajmë me 5 mbrojtës, nuk jemi të sigurt mbrapa, nuk po fitojmë me asnjë rival në ndeshjet e fundit dhe kjo na godet pak në anën psikologjike. Sa i përket emrave e cilësive, ne duhet të jemi më të fortë. Ndoshta te këta lojtarë që luajnë në Serinë A është edhe pjesa e lodhjes, e futbollistëve që kërkojnë e duan të jenë pushim. Po flas nga pjesa e futbollistit, çdo futbollist mezi pret kur mbaron kampionati të bëjë pushim, edhe pse është gjë e madhe kur luan me kombëtaren. Por ndoshta përqendrimi në këto momente, në këto ndeshje, bie dhe për fat të keq e pësojmë. Për fat të keq ishte gabimi i Gjimshitit.

Mendoj se Hysaj në të vërtetë në kombëtare nuk jep atë që jemi mësuar ta shohim në Serinë A. Sipas meje Hysaj vuan të luajturin në krahun e majtë, ai është tipik i krahut të djathtë që e bën shumë mirë, punëtor, jo me cilësitë më të mira teknike. Por e kemi të sigurt. Duke e kaluar në të majtë, nuk mund të bëjë maksimumin, nuk mund të jetë Hysaj. Deri diku nuk i vë shumë faj personalisht. Balliu edhe dje e tregoi se është lojtar me nivel shumë të mirë, e meritoi të luajturën. Por më shumë problem kemi situatën e Hysajt dhe krahut të majtë”, tha Shkëmbi.