“Acari” mes Kristiano Ronaldos dhe drejtuesve të Real Madrid ka lindur nga një frazë e thënë në fillimin e sezonit nga presidenti i madrilenëve, Florentino Perez. Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, ishin pikërisht fjalët e drejtuesit më të lartë të klubit në një bashkëbisedim me lojtarin ato që sollën edhe vendimin e Kristiano Ronaldos për t’u larguar në fund të sezonit. Perez i kishte premtuar lojtarit përmirësimin e kontratës pas finales së Ligës së Kampioneve dhe Ronaldo ishte në pritje të një ndryshimi.

Pasi ai mësoi se Mesi do të përfitonte 50 milionë euro në vit te Barcelona ndërsa portugezi mbetej në 21 milionë euro nga rinovimi i fundit, futbollisti kishte kontaktuar me klubin. “Nuk kemi para për të bërë një përmirësim”, ishte përgjigja që mori nga Perez dhe që u cilësua si mashtrim nga lojtari. Ai është i bindur se kjo ishte një mënyrë për ta hequr qafe, pasi klubi gjatë verës kishte bërë oferta prej më shumë se 100 milionë eurosh për futbollistë të ndryshëm, mes të cilëve edhe Mbape.

Për më tepër, me largimin e Pepe, Hames e Morata, klubi kishte kursyer, ndaj Ronaldo e sheh këtë si një mashtrim të madh të madrilenëve dhe një sinjal të qartë se ai nuk është më i dëshiruar në këtë skuadër, pavarësisht arritjeve që ka regjistruar me të. /vipsport/