Vlerat në merkato të futbollistëve patjetër që tregojnë për cilësitë e tyre. Faqet e specializuara dhe veçanërisht Transfermarkt çdo muaj përditësojnë shifrat e futbollistëve kudo. Përjashtim në këtë rast nuk bën as Superliga dhe veçanërisht Vllaznia.

Shkodranët nga roza aktuale që kanë vlerësohen në total me shifrën e 3.63 milionë eurove në merkato. Kjo një shifër goxha më e ulët se ajo e sezonit të shkuar, ku skuadra shkonte deri në vlerën e mbi 5.5 milionë eurove. Për tu rikthyer tek futbollistët aktualë, më i shtrenjti është Darko Dodev.

Sulmuesi i krahut nga Maqedonia e Veriut pavarësisht se nuk u preferua titullar nga Memelli në ndeshjen e parë kundër Linfield, kap vlerën e 350 mijë eurove në merkato. Pas tij vjen Esat Mala, që pavarësisht se ka qëndruar shumë kohë jashtë fushave për tu rikthyer së fundmi, ka një vlerë prej 300 mijë eurosh në tregun e futbollistëve.

Pas kësaj dyshje vijnë disa futbollistë si: Juric, Boshnjaku apo edhe Alivoda që vlerësohen me shifrën e kartonit 250 mijë euro. Në të njëjtën vlerë qëndron edhe Ardit Krymi, mesfushori i rikthyer së fundmi që po ashtu ka një vlerë prej 250 mijë eurosh.
Endri ÇINARI