Olsi Gocaj shikon grupin si pikën më të fortë të Flamurtarit. Ai beson se ky do të jetë viti i kuqezinjve dhe do të ngjiten në Superiore. Pavarësisht se garën e shikon shumë të fortë, mendon do t’ia dalin në finish.

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi komenton edhe çështjen e gjykimit. Ai thotë me siguri të plotë, se vlonjatët janë një ekip që luajnë ndershmërisht dhe janë jashtë çdo lloj pazari. Shkodrani flet edhe pak për shkëputjen nga futbolli, që prej kohës që u largua drejt Amerikës.


Gocaj, si e shikoni Flamurtarin këtë sezon?

Është një skuadër e re, e ndërtuar thuajse nga e para. Me aq ndeshje sa kam parë, kanë treguar forcë. Brenda kanë lojtarë me eksperiencë, që kanë luajtur edhe në Superiore. Kjo është një vlerë e shtuar për Flamurtarin.

Por natyrisht edhe një përgjegjësi shumë e madhe për vetë futbollistët, të cilët mbajnë veshur atë fanellë të rëndë dhe me histori të madhe. Në këto kushte, jam shumë i sigurt se do të bëjnë mirë bashkë. Kam ndjekur disa nga ndeshjet që kanë luajtur dhe më kanë pëlqyer. Është një skuadër me shumë kualitet.

Në fakt kanë pasur luhatje në disa ndeshje sa u përket rezultateve. Si e shikoni këtë?

Është një skuadër e riformatuar. Nuk është e lehtë që të ambientohen direkt 15 futbollistë të rinj. Ata duan kohën e vet, ndonëse në Vlorë, kjo pjesë është e thjeshtë. Aty punon i qetë dhe të gjithë të respektojnë. Kjo çështja e ambientimit ka kaluar sidoqoftë. Mjafton të shikosh edhe ndeshjet e fundit, ku kanë bindur me lojë dhe me rezultat. Janë rritur fizikisht, taktikisht dhe psikologjikisht.


Megjithatë mund të themi se fitoret po vijnë me rezultate minimale. Çfarë duhet të ndryshojnë?

Kam bindjen se do të vijë edhe shpërthimi. E rëndësishme është që të punojnë në grup dhe të kenë frymën e duhur. Nuk duhet që të jenë individualistë.


Klubi dhe stafi akuzojnë gjyqtarët për vendime tendencioze ndaj Flamurtarit. Keni një koment?

Unë nuk dua që të komentoj gjyqtarët, pasi nuk e kam bërë këtë gjë as kur kam qenë futbollist. Por them se ka ardhur koha që të mos ketë më vendime tendencioze. Duhet të fitojë ai që e meriton në fushën e lojës. Ajo çka unë di dhe e them me kompetencë, është që Flamurtari asnjëherë nuk është bërë pjesë e pazareve, por çdo rezultat e ka marrë me gjak. E them këtë se kam qenë vetë pjesë e atij ekipi dhe i kam parë gjërat nga afër.

Cilët shikon si rivalë këtë sezon?

Janë disa në fakt. Kampionati është i gjatë. Por patjetër që Flamurtari, Elbasani dhe Bylisi do të jenë rivalët kryesorë. Të mos harrojmë as Vorën dhe Apoloninë. Edhe ato janë skuadra që po bëjnë mirë.


Me çfarë po merreni aktualisht, luani futboll?

Jam mes Shqipërisë dhe Amerikës. Për momentin jam këtu dhe pas dy javësh do të udhëtoj drejt Amerikës përsëri. Patjetër që me sportin jam i lidhur. Angazhohem dy herë në javë edhe për të mbajtur trupin në formë.