Afera më e madhe korruptive 5 milionë dollarëshe në sport në këto 32 vite u kthye edhe në maskaradën më të madhe të përdorimit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve në këto tri dekada. Të nderuar prindër, ju kanë vjedhur. Me taksat tuaja ata që ishin ulur në tribunë dhe mbajtën edhe ndonjë fjalim kanë mbushur xhepat e tyre.
Me nostalgjinë e ish-sistemit diktatorial, ku megalomania dhe hajdutëria mbizotëronin në çdo sferë të jetës, ata përpiqen çdo ditë të rikthejnë edhe një herë atë mentalitet ku çdo gjë e vendoste diktatori dhe levat e tij. Kanë abuzuar pafund me fondet nga taksat tuaja, ku në çdo shpenzim që kanë bërë jo vetëm për atë shëmtirë ceremoni, që nuk i kishte lënë asgjë mangët organizimit të spartakiadave të para viteve ’90, por edhe në veshjet që ju dhanë gjoja dhuratë fëmijëve tuaj kanë vjedhur në mënyrë flagrante.
Kostoja e atyre palo materialeve sportive që ju kanë sjellë fëmijët në shtëpi është shumë herë më e lartë edhe sikur materialet sportive të mbanin siglat e firmave më prestigjioze në botën e sportit si Adidas, Nike, etj. E pra dijeni se çdo gjë është bërë me paratë tuaja që ua marrin çdo ditë në forma të ndryshme taksash abuzive. “Kinezeria” e radhës edhe ne sport po merr formën me të pëlqyer të atyre që ishin në tribunë në krah të udhëheqësit. Ju keni provuar dhe po provoni çdo ditë se si në mënyrën më të paskrupullt ne po vidhemi nga qeveritarët tanë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe që edhe në një nga aktivitet më të dashura dhe gjithëpërfshirëse siç është sporti që ata të mos abuzonin.
Në qoftë se në afera të tjera milionat e eurove që vidhen janë shumë, 5 milionë të vjedhura dhe të abuzuara te sporti janë katastrofike. Përpiquni të klikoni e të gjeni raste apo projekte të ngjashme dhe me këto kosto në vendet perëndimore dhe do të kuptoni që ju kanë vjedhur. Jam i bindur se të tilla shfaqje do t’i gjeni akoma në Korenë e Veriut apo në vende ku diktaturat përçudnojnë çdo individ apo sferë të jetës në dobi të interesit të tyre tinëzar. Për këtë janë publikuar, por edhe do të dalin shumë shpejt në media faturat me abuzimet e kryera.
Ju detyruan të nxirrni nga shtëpia apo të sillni fëmijët në një ditë të ftohtë dimri në Tiranë, thjeshtë për t’u hedhur hi syve dhe për të justifikuar gjoja projektin “madhështor” (se edhe termat që përdorin janë të ish-sistemit diktatorial), por që nuk është gjë tjetër vetëm një formë e re vjedhjeje dhe abuzimi me fondet publike. Të nderuar mësues, ju kane përdorur (këtu nuk e kam fjalën për militantët e rilindjes dhe patronazhistët). Kanë gati një vit që duke përfituar nga rrogat mizerabël që ju japin, nga gjendja katastrofike që është lëvizja sportive në vend, nga terrenet sportive skandaloze që keni nëpër shkolla e të tjera si këto, po përpiqen që me disa shpërblime qesharake t’ju joshin që të bëheni pjesë e abuzimit të tyre.
Jam i bindur që të gjithë ju, në mendjen tuaj, e keni kuptuar që sa shumë është abuzuar me 5-milionëshin e famshëm, por diku nga nevojat ekonomike, diku nga presioni për vendin e punës dhe diku edhe nga pasioni që keni për sportin jeni detyruar të merrni pjesë. Jam po ashtu i bindur që shumë prej jush kanë pasur edhe presione nga më të ndryshmet nga drejtorët e shkollave apo të drejtorive arsimore që të dilnit dhe të vinit në Tiranë të shtunën e 10 dhjetorit dhe të bënit edhe një herë spartakiadën në stadium për udhëheqësin e lavdishëm.
Ju përdorën, gjoja me trajnimet, ku asnjë nuk di se sa ka qenë kosto e tyre, ku ata që gjoja ju trajnuan nuk dihet se sa janë paguar dhe se një pjesë e tyre ishin persona të panjohur pa asnjë kontribut në sport duke ju dhënë në fund ca certifikata si “letër bakalli”, të cilat siç edhe ju e dini nuk kanë asnjë vlerë mbi diplomat dhe arsimimin tuaj profesional. Ju përdorin miqtë e mi thjesht për të justifikuar vjedhjen dhe shumë shpejt do të kuptoni të gjithë ju që do të bëheni vasalë të rilindjes, sepse nëpërmjet këtij projekti nuk kërkohet asgjë tjetër vetëm që të asfiksohet çdo lloj veprimtarie private në vend dhe me në fund ju të shkoni e të luteni për një orar palestre, për një top apo për një pale tuta në këmbim të votës tuaj për rilindjen.
Shpejt do t’ju nxjerrin sërish në sheshe e stadiume, pasi ju duheni për të bërë fushatën elektorale të krybashkiakëve rilindas, sepse këto metoda kanë përdorur para viteve ’90 dhe këtë po përdorin edhe sot. Sot ata në tribunë po përdorin varfërinë dhe pamundësinë e jetesës suaj në dobi të interesave të zyrave dhe makinave luksoze të tyre.
Të dashur nxënës, kanë abuzuar me ju. Sepse ju detyruan të visheni si kinezët pothuaj të gjithë njëlloj, me cilësi skandaloze materialesh sportive. Ju humbën kushedi sa orë mësimore thjesht që të mësonit se si do të parakaloni, si do të mbani pankarta në duar për “nënën parti” dhe udhëheqësin e saj. Ju kanë detyruar që gjoja të zhvilloni ndeshje aty ku nuk ka terren qoftë sa për të bërë një foto ata që fituan lekët nga kjo aferë korruptive.
Ju kanë detyruar të dilni e të vini në stadium, edhe të lageshit, sepse udhëheqja kishte shumë dëshire t’ju shihte edhe një herë siç shikonte prindërit tuaj të vuajtur para viteve ’90 dhe t’ju përshëndeste me dorë nga tribuna. Kanë përdorur imazhet tuaja fëmijërore në rrjetet e tyre sociale thjesht për të bërë sa më shumë klikime dhe “followers”-a për veten e tyre. Këto forma do t’ju detyrojnë edhe ju një ditë, që kur të rriteni e të kuptoni më shumë se sa dhe si kanë abuzuar me ju, të merrni rrugët e kurbetit dhe të justifikoni vëllezërit dhe motrat tuaja qe kanë ikur nga ky vend.