Futbolli shqiptar ka problemet e tij serioze dhe ai ka ndjekur të njëjtën kurbë që ka ndjekur shoqëria jonë në tërësi këto 34 vjet. Formula e kampionatit shqiptar të futbollit, Kategoria Superiore, për sezonin 2023-2024 është formula më e keqe e mundshme e shpikur ndonjëherë nga një mendje njerëzore në botë.

Formula e re, që shton një fazë “Final 4”, pas 36 javësh kampionat të rregullt, do të caktojë titullin kampion në Shqipëri. Pra, pas 36 javësh, pikët do të zerohen për katër skuadrat. Kjo është një lajthitje monumentale që nuk e ndeshim në asnjë vend të botës. Por siç dihet ne jemi “fanar ndriçues”! Edhe në futboll. Fillimisht, katër ekipet e para do të përballeshin me njëri-tjetrin me tek ndeshje dhe jo vajtje-ardhje. Të gjitha ndeshjet do të luheshin në “Air Albania” dhe ekipi që grumbullonte më shumë pikë në këto tri ndeshje, shpallej kampion.

E kritikova shumë fort këtë formulë shumë të gabuar. Që në muajin korrik të vitit të kaluar. Kur ishte ende në kuadrin e thashethemeve, pa u implementuar. Të gjithë e dimë, dikur për të ndryshuar formulën e kampionatit dhe të çdo turneu të futbollit, vendimi merrej për sezonin pasardhës, jo për atë që pritej të fillonte. Sot jetojmë në një kohë tjetër, kur në Federatën Shqiptare të Futbollit ndryshimin e bëjnë jo vetëm sot për nesër, por edhe sot për sot. Edhe brenda një ore.
Më pas, FSHF-ja ndryshoi përsëri mendje.

Sipas formulës së re, pas përfundimit të 36 javëve të sezonit të rregullt, do të ketë një play-off në formë kupe, pra me eliminim. Dy vendet e para do të jenë në një vazo dhe vendi i tretë me të katërtin në vazon tjetër. Shorti do të caktojë dy gjysmëfinalet. Dy ekipet fituese do të përballen në finale, ku zgjidhet dhe kampioni i edicionit. Në rast barazimi në gjysmëfinale, ekipi me renditjen më të mirë gjatë kampionatit, kalon më tej. Edhe nëse në finale ka barazim, do të aplikohet koha shtesë e më pas penalltitë. Po kështu edhe në finale e “vogël” për vendin e tretë.

Ndryshimi i skemës së kampionatit ka si synim për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar apo edhe për t’u dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv në fundin e kampionatit. Gjithashtu, synohet që ky ndryshim të sjellë edhe më shumë të ardhura për klubet shqiptare në përfundim të sezonit. Në 24 javë të deritanishme, stadiumet kanë qenë me minimumin e spektatorëv. Për të mos thënë që kanë qenë bosh. Përjashto dy derbet e para Partizani vs Tirana.

Sepse edhe në derbin e fundit, të premten e kaluar, mungonin 10 mijë tifozë (12 mijë ishin të pranishëm). Superliga këtë të dielë futet në fazën më interesante kur fillojnë të vendosen pikat mbi I, por formula e “Final Four” në fund të kampionatit e ka vrarë tashmë garën. Ashtu si në çdo fushë të jetës këtu te ne, kjo formulë e ka vrarë meritokracinë në futbollin shqiptar. Verdiktet e kampionatit nuk mund të përcaktohen në dy gjysmëfinale dhe finale.

Cili është qëllimi i një kampionati futbolli në gjithë botën? Të nxjerrë kampion skuadrën më të mirë. Me këtë formulë ne do të bëhemi gazi i botës. Pse? Sepse ti mund t’i mbyllësh 36 javët e kampionatit me 20 pikë përpara dhe në fund, me dy ndeshje ti rrezikon të mos shkosh as në Europë, jo më të dalësh kampion. Kjo formulë është një skandal i madh! Është utopike! Kjo të shkatërron padrejtësisht djersën dhe mundin e një viti të tërë.     

         
UEFA në ranglistën e saj e radhit futbollin shqiptar në vendet e fundit në Europë. Ka shumë pak cilësi. Kampionati shqiptar dhe futbolli ynë në tërësi radhitet në grupin e vendeve të vogla, atyre me futboll të dobët. Suksesi i vetëm i kampionatit tonë mund të konsiderohej rivaliteti që kanë prodhuar skuadrat në garën për titull, sikurse ndodhi në sezonin që lamë pas. Edhe këtë rivalitet e vranë me këtë formulë që e shndërron Kampionatin në Kupë. Ky nuk është futboll. Ky është një eksperiment i rrezikshëm!