Ju kujtohet ajo anekdota argëtuese me goditjen e dënimit të Kristiano Ronaldos në “Qemal Stafa”, kur arbitri u habit kur pa se barrikada e ekipit të Gramozit i ktheu kurrizin kampionit të madh, ndërkohë futbollistët u kapën në një skenë unikale… shikonin nga porta e tyre dhe jo nga ekzekutuesi!

Në ato momente, arbitri ka pyetur i zhgënjyer futbollistët që krijuan murin “kinez”: – Pse i ktheni kurrizin?

Për respekt shikojeni në fytyrë të madhin Ronaldo sepse është një nga perënditë e topit në botë… – Ne duam të shohim golin që do të bëjë Ronaldo dhe jo vetë… Ronaldon,

– ishte përgjigjja e një futbollisti, që mrekulloi arbitrin më shumë se çdo gjë që kishte dëgjuar me veshët e tij në fushë.

Kjo anekdotë, pas atyre që kanë ndodhur në harkun e pak javëve, mund të tregohet edhe për sulmuesin e talentuar të Kukësit, Sindrit Guri.

Kur i shënoi Partizanit një gol me vlera speciale nga goditja e dënimit, kishte nga ata që u dehën me elegancën e goditjes, veç kishte edhe mosbesues që thanë se ishte një magji që nuk ndodh shpesh.

Guri, i ndihmuar edhe nga heshtja e tij prej kampioni, nuk tregoi publikisht se goditjet e dënimit janë bërë pjesë e shfaqjes së tij.

Mund të thoshte se golat nga encet nuk vijnë nga qielli, por janë një koordinim perfekt i mendjes së tij me këmbët, por nuk e bëri, sepse është tip që flet me vepra dhe jo me gojë.

Siç ndodhi prapë me Skënderbeun, me kampionët e pashpallur, që kur krijuan barrikadën klasike, mund ta kishin shijuar golin e rrallë nëse do të ishin “kthyer” me kurriz nga sulmuesi dhe me fytyrë nga porta e Shehit.

Golat nga encet kanë gjithnjë një shije të rrallë, nuk janë ushqim i zakonshëm në Superiore, pale kur shijon njëherësh elegancën e goditjes se topit dhe precizionin e shndërruar në art.

Topi i goditur nga “Guri i shenjtë” harkoi me një parabël të ëmbël për të prishur rrjetën e merimangës pranë trekëndëshit, për të cilën thuhej se do të rronte kaq gjatë, aq sa do të ishte mosha e Shehit në portë…

Golat që kanë shije kampione, ndezin imagjinatën dhe askush nuk e ndan dot deri ku shkon e vërteta e atyre që dëgjohen.

Flitet sikur fill pas ndeshjes, presidenti Gjici nuk e ka mbajtur në kasafortën e klubit golin perlë që prishi “dasmën” korçare, por ka urdhëruar ta paketojnë, për t’ia dërguar dikujt matanë Adriatikut.

“Çojani trajnerit Panuçi, sepse më dhimbset që lodhet aq shumë për të zbuluar talente… sa më larg Shqipërisë…”/panorama-sport/