Ditët e fundit kam dëgjuar e lexuar për zhurmën që po bëhet në lidhje me prishjen apo jo të stadiumit “Besëlidhja” dhe duke qenë njeri i sportit sigurisht që nuk mund të qëndrojë edhe unë pa u përfshirë në këtë temë e cila është jo pak delikate.

Kuptohet që në këtë stadium, në rolin e komentatorit përgjatë këtyre 22 viteve kam kaluar shumë momente të bukura por edhe të kundërtat. Llogarite pastaj se sa emocione kanë kaluar shumë futbollistë që kanë lindur në këtë qytet dhe kanë lënë mbresa me talentin e tyre në futbollin shqiptar.

Ajo që më shqetëson mua është fakti që diskutohet për prishjen e stadiumit dhe zëvendësimin e tij me një parking e lulishte, ndërkohë që nuk flitet se kur dhe ku do të ndërtohet stadiumi i ri.

Unë jam i mendimit se Lezha nuk ka nevojë për 22 mijë metra katrorë parking sepse nuk është Tirana në madhësi. Jam i idesë që duhet punuar të gjithë sëbashku për të ndërtuar një stadium të ri në të njëjtin vend ku është aktualisht, por me një projekt modern.

Të ndërtohet një stadium tip-anglez, pa pistë dhe me tribuna afër, çka do të krijonte edhe më shumë hapësira për lëvizje, ndërkohë që parkingu të ndërtohet poshtë stadiumit, siç ndodh në shumë stadiume të botës. Kjo do të ishte zgjidhja e duhur, me të cilën do të ishin të kënaqur edhe të gjithë njerëzit e komunitetit të futbollit, por edhe qytetarët e thjeshtë të Lezhës.

E mira do të ishte që të gjitha palët të bashkëpunonin me njëri- tjetrin dhe vendimet të mos merren për inate politike sepse në fund të fundit ata që gëzohen apo hidhërohen nga këto vendime janë vetëm lezhjanët.
*Autori eshte komentator sportiv i “Radio Tiranes