Sot më 26 Maj 2023, ora 16.00, vihen përballë njëra-tjetrës Burreli dhe Pogradeci, në sfidën për kategorinë e parë në futboll për edicionin 2023-2024. Ndeshje e cila do të luhet në “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, ku Burreli synon për të qëndruar në këtë ligë, pasi 31 pikët e grumbulluara këtë edicion nuk i mjaftuan, dhe Pogradeci që deri në përballjen me Elbasanin, kryesonte grupin dhe synonte të kalonte direkt në kategorinë e parë, por dështoi në këtë mision, të cilin synon ta arrijë në këtë përballje.

Të dyja skuadrat në fakt gjatë këtij edicioni, për hir të së vërtetës, janë ndëshkuar si mos më keq, për të mos thënë shkatërruar nga gjykimet dhe ndëshkimet e trupave gjykuese dhe Komisioni i Disiplinës së FSHF. Mjafton këtu të përmendim ndëshkimin e Burrelit për të mos lejuar spektatorët për ta ndjekur në 5 javë ekipin e tyre në Burrel, apo atë të trajnerit Bubeqi dhe pjestarëve të tjerë të stafit, për të vijuar me ndëshkimet ndaj skuadrës së Pogradecit, që thuajse e përgjysmuan skuadrën me ndëshkimet që u dhanë ndaj lojtarëve të kësaj skuadre dikund nga mesi i fazës së dytë.

Çfarë ka ndodhur të dyja skuadrat i kanë hedhur pas krahëve dhe gjithë përqëndrimin e kanë tek përballja e nesërme, që pritet të jetë e luftuar deri në minutën e fundit nga të dyja shkuadrat e drejtuara nga teknikët Bubeqi e Nikaj, emra të spikatur të trajningut shqiptar.

Në këtë përballje tekniku Nikaj ka një farë “avantazhi”, se e njeh skudrën kundërshtare, por dhe një “siklet”, se i takon të luaj kundër “skuadrës së tij” Burrelit, që ka luajtur për ngjyrat e tij dhe e ka drejtuar atë disa herë. Nga ana tjetër tekniku Bubeqi, i ardhur në krye të matjanëve në mesin e këtij sezoni, ka iniciuar dhe vendosur një modul loje kolektiv, agresiv e të pa parashikueshëm në lojë, i fortë me të fortët dhe disi dorëlëshuar me më të dobtit.

Por në këtë ndeshje është thuajse gjithçka e barabartë për sa kohë të dyja skuadrat janë në të njëjtin status, që përmes kësaj sfide vendoset fati i tyre për në kategorinë e parë. Burreli për të qëndruar e Pogradeci për tu rikthyer pas një viti.

Në optikën time këtë ndeshje do ta fitojë stafi që do të dijë të orjentojë më mirë skuadrën në situatat e krijuara gjatë lojës dhe motivojë atë për qetësi dhe efektshmëri në veprime, e mbi të gjitha tek qetësia dhe kualitetet individuale dhe kolektive të skuadrave, që anon paksa nga Burreli, por mbi të gjitha nga ajo çfarë do të japin në fushë protagonistët kryesorë, që janë futbollustët, aktorët e vlrtetë të klsaj sfide.

Druhem se bukurinë kësaj ndeshje mund t’ja prishë arbitrimi, gjë e cila uroj të mos ndodhë. Në fund të kësaj ndeshje natyrisht që njëra palë do të gëzohet e tjetra jo, por uroj që pas kësaj sfide, skuadra fituese të përgëzohet nga pala tjetër. Vetëm kështu, do të bindemi se kemi patur vërtet Fair-Play, dhe do të përcillet mesazhi se në futboll kur luhet ndershmërisht duhen pranuar fitoria edhe humbja.Uroj që kjo ndeshje të na dhuroi emocione dhe spektakël, dhe të fitojë ekipi më i mirë.
* Gazetar dhe komentator sportiv