Superliga e futbollit luajti dje javën e 35-të të kampionatit për sezonin 2022-23 dhe deri në këto momente ka vetëm një enigmë të zgjidhur, ku u konfirmua se Kastrioti do jetë pjesë e Kategorisë së Parë sezonin tjetër. Kjo pas humbjes së krutanëve kundër Partizanit në shifrat 1-4, por se kush do shoqërojë Kastriotin dhe kush do jetë në play off janë ende mistere për tu zgjidhur.

E ndërkohë një garë në distancë dhe shumë e flakët do jetë për vendin e katërt në javën e fundit të Superiores. Kjo pasi për këtë pozicion janë 3 skuadra që e kërkojnë këtë vend, ku janë Teuta që momentalisht është në vendin e katërt e pas durrsakëve vijnë menjëherë Vllaznia dhe Laçi dhe gjithçka duket shumë interesante.

Nga Ballshi në Tiranë e deri në Laç te gjithë do jenë më sy e veshë për të pritur zhvillimet e kundërshtarëve. Kjo pasi ende nuk mund të bësh asnjë llogari pasi do dalësh bllof nëse bën të tilla. Vllaznia nga ana e saj ka ndoshta ndeshjen më delikate sepse do luajë kundër Bylis në transfertë, që I vlen vetëm fitorja për të qëndruar në Supëriore.

Po ashtu duel të vështirë ka edhe Teuta kundër Partizanit, ku edhe të kuqve iu vlen fitorja për fitimin e kampionatit, kjo për të mos u varuar nga ndeshja e Tiranës. E më të lehtë e ka Laçi që do presë në shtëpi Kastriotin që tashmë është i rënë nga Superliga. E gjithçka do jetë tepër interesante ditën finale të kampionatit ku të gjitha ndeshjet do zhvillohen të hënën në orën 16:00.
Endri ÇINARI