Skuadrat shqiptare e nisën me “marshe” të ndryshëm turin e dytë kualifikues të “Conference League”. Teuta, pasi zhgënjeu në kualifikueset e para të Champions-it, qe me fat në “sallonin” tjetër, të më të vegjëlve. Shorti e vendosi përballë modestëve të Andorrës, por fusha tregoi të kundërtën.

“Djemtë e detit” ishin më modestë se mendohej nga gjithkush, duke humbur 2-0 në shtëpi ndaj Inter Club d’Escaldes. E pashpjegueshme “theqafja” e durrsakëve të Edi Martinit, të përforcuar gjasme me dy emra imponues në letër, Sherif Kallaku në mesfushë dhe Taulant Seferi në sulm. Asgjë për t’u kujtuar në përfaqësimin europian të kampionëve tanë, edhe pse ka mbetur të luhet edhe kthimi me andorrasit.

Laçi mbajti lart flamurin kuqezi në këtë kompeticion. Pasi likujdoi Podgoricën me paraqitje bindëse, skuadra e Shpëtim Duros u përball me rival tjetër mjaft më të vështirë. Të paktën në letër, rumunët e Universitatea Craiova kushtojnë tri herë më shumë se kurbinasit si skuadër. Ama, në fushën e blertë, triumfoi shpirti, egoja dhe krenaria bardhezi.

Fitorja 1-0 në “Elbasan Arena” ishte “qershia mbi tortë” e sfidave të së enjtes për skuadrat tona. Laçit i duhet edhe një sforcë e madhe, pse jo dhe pak fat, për të bërë historinë; kaluar në turin e tretë. E vështirë, po të kemi parasysh kthimin në Rumani, por jo e pamundur për grupin “heroik” që ka Duro në dispozicion.

Vllaznia meriton fjalët më të mira, edhe pse humbi në Qipro. Luajti me personalitet, qartësi taktike dhe besim në vetvete ndaj AEL Limasol. U ndëshkua nga një gol në fund të pjesës së parë, në rastet e pakta të shpërqendrimit. Nuk ka vend për dekurajim te kuqblutë. Bashkë me tifozët e mrekullueshëm shkodranë, ata mund të përsërisin përmbysjen si ndaj Siroki Brijeg. Nëse ndaj boshnjakëve zhbënë disavantazhin 3-1, hendeku minimal ndaj qipriotëve është edhe më i rukuperueshëm.

Në fund, por jo nga rëndësia, disa fjalë për Partizanin. Dihej nga të gjithë se Bazeli ishte një kafshatë e pakapërdishme për cilëndo skuadër shqiptare. Gjigantët zviceranë luajnë thuajse rregullisht në grupet e Ligës së Kampionëve, kanë në radhët e veta 5 lojtarë të kombëtares helvete, si dhe Taulant Xhakën, yllin e kombëtares kuqezi. Pra, “peshorja” anonte dukshëm nga zviceranët.

Ilir Daja dhe të tijtë mbijetuan gati një pjesë loje, me dinjitet, pastaj ofensiva e kundërshtarit u bë e papërballueshme. Nëse do të kishin shfrytëzuar një nga ato dy-tri raste të kuqtë, me siguri rrjedha e ndeshjes mund të kishte qenë tjetër. Sidoqoftë, nga një skuadër e ndërtuar rishtaz në një pjesë të konsiderueshme të saj, nuk mund të presësh më shumë. Pikërisht këtu e shoh “thembrën e Akilit” te Partizani, te filozofia e tij prej “Penelope”.

Pra, thur e shthur, ndreq e prish skuadra. Mungesa e stabilitetit të grupit të lojtarëve nga një sezon në tjetrin është problem që duhet zgjidhur. Ndryshe, me mbrojtje si ajo në Zvicër, që luante për herë të parë së bashku, nuk shkohet shumë larg as në Superiore, jo më në Kupat e Europës. Invetsimi është i konsiderueshëm ti “demat”, falë presidentit Gaz Demi dhe drejtorit Olsi Rama, por vetëm një “hallkë” e prish zinxhirin.

Duhet vazhdimësi në një skuadër futbolli, të mos ribëhet çdo sezon më shumë se gjysma e formacionit, ndryshe nuk ia del as një gjigant si Juventusi. Besoj e patë sezonin e shkuar, që humbi titullin mbas 9 vitesh radhazi, vetëm pse aplikoi “revolucionin” në masë në skuadër.