Dr. Harilla Marku

Edhe një herë llafazanët, bastexhinjtë, anal-istët, specialistët, trajnerët, presidentët e cilindo tjetër që dyshonte e paragjykonte, Egnatia i përgënjeshtroi në fushën e blertë. Shumë zhurmë për asgjë. Bastexhinjtë e paragjykuan ndeshjen Egnatia-Erzeni. Dhe nuk është rasti i parë që paragjykojnë skuadrën rrogozhinase, por gjithë futbollin shqiptar.

Nxituan të parashikonin se kjo ndeshje do të dilte 2/2, pra fitore e shijakasve në pjesën e parë dhe në fund, madje do të realizohej vetëm një gol. Dolën blof për turpin e tyre, ajo që “pshtynë” iu ra vetë në surrat.

Sikurse e panë të gjithë, ndeshja Egnatia-Erzeni ishte tejet emocionuese, luftarake. Gaboi në një rast lojtari me shumë eksperiencë, kapiteni Malota, por këto janë pjesë e futbollit. Kanë gabuar lojtarë të mëdhenj në finalet e Kupave të Botës, jo më në kampionatin shqiptar. Një gabim tërësisht njerëzor, që Egnatia e sfumoi me përmbysjen spektakolare, duke ua lënë “baltën” atyre që e hodhën “pa doganë”.

KF Egnatia vazhdon të luajë futboll të bukur e rezultativ, të thellojë distancën në krye të Superiores, të jetë model i “fair play”. Kjo, para së gjithash falë presidentit Agim Demrozi dhe drejtorit Klejdi Zenelaj. Meritë e padiskutueshme e gjithë stafit teknik, duke filluar nga trajneri Tetova, zv/trajnerit Julian Brahjas, përgatitësit atletikë Anri Babaj, stafi mjekësor Bizhdilli e Kapllani, trajenirit të portierëve Guma, deri te punëtorët e fushës, gazetarit Ch. Zekaj.
Ta harrojnë anal-istat, parashikuesit e dështuar e të dalë boje, se do ta pengojnë Egnatian në rrugëtimin e saj të ndershëm e të pandalshëm.

Do të dështojnë me turp, sikurse ndodhi këtë të hënë, sepse parashikimet e tyre hidhen në “koshin e plehrave” nga rezultatet e skuadrës rrogozhinase.

Filozofia e Egnatias është e pakompromistë: rezultatet pozitive, loja e bukur argëtuese, “fair play”. Egnatia, me fitoren drithëruese, i argëtoi e lumturoi në fund tifozët rrogozhinas. Ata kanë pse të ndihen krenarë me skuadrën e zemrës, sepse janë të parët e Superiores, thuajse gjatë gjithë këtij kampionati, me 10 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt.
Ishte si “qershia mbi tortë” goli i Ibrahimoglu, ardhur në merkaton e dimrit, spikati mesfusha me Aleksi, Fernando, Zejnullahu dhe Spahiu. Spektakolar ishte portieri Sherri me pritjet e kryera, ashtu si Fangaj, Xhemalaj, Ndreca etj në prapavijë.

Ndërrimet në kohën e duhur e të suksesshme.Edhe kjo ndeshje tregoi se Egnatia shënon më shumë gola se secili rival i Superiores (golaverazhi i thellë e tregon qartë këtë), pra luan futboll sulmues dhe argëtues.

Kjo ndeshje tregoi se Egnatia e vlerësonte shumë Erzenin, duke qenë se disa ish-lojtarë të saj janë tashmë pjesë e shijakasve. Më i fundit Mëllugja, i cili zhvilloi një lojë shumë të mirë. Drejtuesit e klubit rrogozhinas premtojnë se do të jenë gjithmonë simbol të futbollit të ndershëm e të bukur, se nuk do të bien pre e shpifjeve për lëshime e tolerime, që kanë si synim “stërkëmbëshin” ndaj kryesuesit me meritë të këtij kampionati, por pa ia dalë dot.
Të gjithë të behemi bashkë për imazhin e Abissinet Superiores!