Nga Ketjola GËSHTENJA
Viti 2021 ka startuar me sfidat e javës së 13-të të Kategorisë Superiore. Takime këto mjaft interesante për sportdashësit të cilët fatkeqësisht e kanë të pamundur të ndjekin ndeshjet në stadium për shkak të Covid-19.
Që prej izolimit të vendit për shkak të pandemisë, ndeshjet e kombëtares dhe ato të ligës vëndase luhen pa tifozë gjë që i bën tifozët të shohin ndeshjet në shtëpi apo bare.
Ajo çfarë është shqetësuese janë grumbullimet e mëdha të tifozëve nëpër kafene me sipërfaqe të vogla dhe të mbyllura duke rënë kështu në kundërshtim me rregullat ndaj pandemisë.
Duket sikur biem në kundërshtim me ligjin por një nga opsionet më të mira të zgjidhjes së kësaj situate shqetësuese mund të jetë ajo e kthimit të një pjesë të tifozëve në stadium.
Nëse nëpër stadiume do të lejohen të futen 20% e kapacitetit të tij, atëherë do të ishin një pjesë e konsiderueshme e tifozëve që do të largoheshin nga baret e mbyllura ku rreziku është më i madh.
Në këtë mënyrë mundësia për tu prekur nga Covid-19 do të ishte e vogel si dhe do të ishte një ndihmë e vogël financiare për klubet.
Të gjithë e dimë që futbolli luhet për tifozë dhe pa ata nuk është kurrë njesoj, kështuqë do të ishte më mirë për të gjithë ekipet të kenë përkrahjen e tifozëve në stadium.







