Diego Longo, trajneri i Kukësit, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sport News” në “News 24” duke u ndalur në etapat e tij në klubin verilindor. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, italiani ka përshkruar të gjithë etapat e eksperiencës, duke u nisur nga starti i tij në Shqipërri, te ambiciet dhe ajo që gjeti këtu. Sigurisht, edhe atë që pret tashmë në drejtimin e një skuadre e cila është kthyer në një pretendente për titull,

Prej afro një dekade, Kukësi është një realitet i prekshëm i futbollit shqiptar, një nga ekipet më të mira. Këtë sezon po befason jo pak teksa me një ekip të ri, me një staf të ri, po dhurojnë një futboll shumë të bukur ofensiv, ku si gjithnjë synojnë titullin kampion. Sot në “SportNews” kam kënaqësinë të kem arkitektin e këtij ekipi, trajnerin Diego Longo, mister faleminderit që pranuat ftesën…
“Është kënaqësi e imja, faleminderit.”

Mister je përshtatur me realitetin shqiptar, është e lehtë për një italian të punojë në Shqipëri?
“Tani jam shumë mirë. Për të qenë i sinqertë fillimi nuk ishte i lehtë sepse gjeta një ambient ndryshe nga ai që isha mësuar vitet e fundit të paktën. Por tani jam mirë, kjo edhe fale ekipit, lojtarëve, stafit që kanë qenë mbështetje, kështu që tani jam duke menduar vetëm për futboll, atë që është edhe më e rëndësishmja për mua”.

Si ju duket cilësisht futbolli shqiptar, kush është problemi që kemi në këndvështrimin tuaj?
“Sinqerisht futbolli është shumë më mirë se mendoja para se të vija këtu. Sipas meje, problem është organizimi, kur them organizim e kam fjalën për fushat ku stërvitemi, apo organizimi jashtë fushe. Por mendoj që është një problem jo vetëm i Kukësit, por në përgjithësi është e vështire për trajnerët dhe skuadrën stërvitja në këto kushte. Sigurisht ka skuadra më të organizuara por gjithsesi ne po përpiqemi çdo dite për t’u përmirësuar në këtë aspekt dhe jemi te kënaqur krahasuar me fillimin. Por ka akoma punë për t’u bërë çdo ditë. Duhet vazhdimisht përpjekje”.

Meqë jemi tek realiteti shqiptar, pak ditë më parë bëri xhiron në rrjet statusi juaj, “spiunimi” që po ju bënte stafi i Dinamos. Pati efekt në fund se fituan, do ia ktheni vizitën Dinamos?
“Është diçka që ndodh në futboll, unë e di shumë mirë këtë. Unë personalisht e kam bërë shumë herë gjatë karrierës sime. Herën e fundit në Kiev kam ndjekur Juvenusin, Barcelonën, Ferencvarosh, kështu që e di që është diçka normale. Problemi qëndron që ne kemi te njëjtën strukture organizimi dhe ndaj nuk është e drejtë, ndaj as unë nuk dërgoj askënd për të ndjekur stërvitjen e ekipeve të tjera këtu. S’ka ndodhur me Partizanin, ndoshta edhe me Dinamon ishte gabimi im se duhet të kishim biseduar më parë por gjithsesi nuk besoj se fituan për këtë arsye. Fituan sepse ishin më të mirë se ne atë ndeshje dhe e merituan. Gjithsesi, nuk do të ndodhë më”.

Në një intervistë që pata me Pero Pejiç pak kohë më parë, më tha që trajneri Longo punon shumë. Në fakt këtë e thonë të gjithë. Çfarë bëni tjetër përveç se merrini me futboll, me se e kaloni kohën e lirë në përgjithësi?
“Nuk kam kohë të jem vetëm. Qe nga fillimi mua edhe të gjithë stafit na është dashur të jemi të fokusuar tek puna që njëkohësisht është pasioni im dhe gjëja që me pëlqen më shumë, pastaj edhe fëmijët e mi nuk jetojnë këtu kështu që nuk mbeten shumë gjëra për të bërë. Më pëlqen të ec, të konsumoj diçka me stafin apo lojtarët, por nuk është aq interesante jeta jashtë fushe. Jam 24 orë me Kukësin në mendje.”

Ju pëlqyen dhuratat e Peros, Vasil Shkurtaj, Musta dhe Gligorov dhe se fundmi Jorgo Pellumbi?
“Po sigurisht, ne punojmë bashkë dhe punojmë shumë mirë, me Peron jam shumë i kënaqur dhe me fat që e kemi. Qe ditën e parë ka patur një “feeling” mes nesh dhe flasim shumë bashkë çdo dite, madje më shumë se me gratë tona dhe ndaj kjo periudhë e merkatos ka qenë shumë e mirë për ne, kemi patur gjithmonë edhe mbështetjen e Safetit qe na ka ofruar “çekun e bardhë”. Kështu që jam i kënaqur sepse të gjithë: Musta, Gligorov, Shkurtaj dhe së fundmi Pëllumbi janë lojtarë që mund të bëjnë diferencën për ne, kështu që jam i lumtur”.

Jeni ekipi me sulmin më të mirë, 30 gola, por sërish investuat në sulm, afruat një bomber si Shkurtaj. A i ndryshon balancat në skuadër ardhja e Shkurtajt?
“Uroj të ndryshojë balancat tek ekipet e tjera. Është e vërtetë që kemi shënuar shumë por ama unë jam kërkues ndaj lojtarëve sepse duhet të kishim shënuar më shumë dhe mund të kishim shënuar më shumë sepse mundësi kemi patur por kemi lënë pikë. Ndaj besoj se me Shkurtajn, Musten e të gjithë të tjerët do rrisim cilësinë për te shënuar më shume ose te ruajmë balancat, pra edhe të shënojmë më pak por ama të mos pësojmë. Futbolli është çështje balancash siç e thatë edhe ju, kështu që mendoj se kemi bërë zgjedhjet e duhura”.

Jeni përshtatur edhe ju me kohën mister, një italian që pëlqen një futboll ofensiv. Çfarë po ndodh me teknikët italian mister, po i largoheni shumë traditës…
“Kjo sepse prej 16 vitesh, tashmë 17, nuk jam më Italian, kam punuar në 6 vende të ndryshme dhe sigurisht ndjehet ndikimi prej tyre por edhe sepse nuk më pëlqen të pres por të bëj unë lëvizjen e parë, ndaj më pëlqen futbolli ofensiv. Por gjithashtu edhe trajnerët italianë së fundmi kanë nisur të pëlqejnë këtë lloj futbolli si De Zerbi për shembull, apo shumë të tjerë, ndaj dhe unë jam një prej tyre”.

E di që në futboll nuk ka asgjë fikse, por a është kusht tani titulli, a ka ardhur koha që të mos fshiheni më?
“Kjo është ëndrra jonë, nuk mund të themi që është objektivi i fillimit sepse do te ishte çmenduri për si nisi sezoni të kishim target titullin, do të ishte shumë, por tani sigurisht që është ëndrra jone. Titulli është gjithmonë kusht për Tiranën apo Partizanin, jo për ne, ne duhet te fitojmë çdo ndeshje për veten, te përpiqemi për ëndrrën por nuk jemi në presion për titullin ndryshe nga ata, për ne është kënaqësi të përpiqemi”.

Po me presidentit Gjici ç’po ndodh? Edhe ai ka ndryshuar shumë, por nuk besoj se tërhiqet nga ideja për të fituar titullin…
“Kjo është normale dhe në fakt me pëlqen sepse ai është ambicioz, është presidenti dhe ka objektivat e tij. Ndërsa unë duhet të jem më objektiv sepse jetoj me skuadrën, e di se ku nisëm me skuadrën në verë. Madje sot në mëngjes Pero më dërgoi skuadrën që kishin para se të vija këtu, dhe të mendoje për titull me atë skuadër bën çudi. Por unë e kuptoj që presidenti do gjithmonë më të mirën dhe në fakt kjo ambicie dhe ky entuziazëm i tij na ndihmon. Unë jam i lumtur për ketë megjithëse mbetem më realist”.